Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, mori pjesë në takimin e Ministrave të Punëve të Jashtme të vendeve aleate që u mbajt në Bruksel. Ky takim ju dedikua kryesisht përgatitjeve për takimin e rëndësishëm të krerëve të shteteve dhe qeverive të vendeve anëtare të NATO-s, që do të zhvillohet në Londër, më 3-4 dhjetor të këtij viti.
Ministrat e Jashtëm të vendeve aleate trajtuan çështje thelbësore të lidhura me të ardhmen e NATO-s, si çështja e buxheteve të mbrojtjes dhe sfidat ndaj kërcënimeve kibernetike dhe lufta kundër terrorizmit.
“Në 70 vjetorin e formimit të Aleancës Atlantike dhe në 10 vjetorin e anëtarësimit të vendit tonë në NATO, Shqipëria i qëndron vendosmërisht angazhimeve të saj në kuadrin e përpjekjeve të Aleancës për mbrojtjen dhe sigurinë e përbashkët.” – u shpreh Cakaj në fjalën e tij.
Duke u ndalur në çështjen e rritjes së buxhetit të Mbrojtjes, Ministri Cakaj theksoi se vendi ynë ka bërë hapa të rëndësishëm në zbatim të angazhimeve të Samitit të Uellsit, Varshavës dhe Brukselit për arritjen e objektivave në rritjen e buxhetit të mbrojtjes në 2% deri në vitin 2024.