Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, Kryetari i Këshillit Bashkiak, Toni Gogu dhe një ekip kërkim-shpëtimi nga Fermo i Italisë me pajisje të specializuara, inspektuan shkollën e dëmtuar rëndë nga tërmeti në Pezë.
Kryebashkiaku shprehu ngushëllimet për jetët e humbura nga tërmeti dhe siguroi se të gjitha institucionet arsimore dhe të banimit, që janë dëmtuar rëndë, do të rindërtohen. “Të gjitha lutjet, zemrat tona, janë me familjet e prekura, sidomos me ata që kanë humbur jetë njerëzish në Durrës dhe Thumanë. Mënyra më e mirë për të nderuar flamurin është duke qenë të gjithë në terren, duke i shërbyer kauzës së bashkimit, të shërimit dhe rimëkëmbjes”, tha Veliaj.
Ai u bëri thirrje qytetarëve që të zbatojnë urdhrat e autoriteteve shtetërore dhe në rast se banesat janë klasifikuar të pabanueshme, të mos jetojnë në to sepse kështu rrezikojnë seriozisht jetën. “Na duhet bashkëpunim, jo vetëm kur ndihmojmë me solidaritet, por edhe kur marrim disa porosi nga organet shtetërore, të cilat kërkojnë bindje. Një prej tyre është urdhri për ta klasifikuar të papërdorshme dhe të pamundur të hapet shkollën në Pezë, kështu që ky urdhër do të zbatohet. Nuk kemi nevojë për akte heroizmi që s’kanë logjikë; Tirana vërtet u kursye nga shkulmi i parë i tërmetit, por kjo nuk do të thotë që ndërtesat që kanë marrë një goditje mund t’i rezistojnë një vale tjetër. Për të gjitha këto arsye kërkojmë me shumë dashamirësi bindjen ndaj autoriteteve, uniformave të shtetit dhe inxhinierëve profesionistë që vënë firmën për të thënë se ky është një objekt i pabanueshëm”, deklaroi Veliaj.
Një prej objekteve i shpallur i pasigurt është shkolla e Pezës, për të cilën kryebashkiaku theksoi se do të rindërtohet nga e para, shumë herë më e mirë. Gjatë kësaj periudhe, nxënësit e saj do të vijojnë normalisht procesin mësimor në një ambient tjetër, që do të shërbejë si shkollë provizore. “Shkolla do të prishet në mënyrë të kontrolluar. Është absolutisht e ndaluar hyrja në një ambient të rrethuar, qoftë shkollë a ndërtesë tjetër, që institucionet e policisë apo të bashkisë e kanë rrethuar, dhe bashkë me Institutin e Ndërtimit e kanë deklaruar të pabanueshëm. Ne kemi vendosur që shkolla në Pezë të shembet për të mos pasur rrezik për fëmijët, ndërkohë fëmijët e Pezës dhe fshatrave të vegjël të shkollave satelit, do të bashkohen në Qendrën “Bahai”, ku mësimi do të fillojë i rregullt javën tjetër. Shkolla që do të prishet do të zëvendësohet me një shkollë totalisht të re, më e bukur, më e fortë, më e mirë”, tha ai.
Veliaj deklaroi se të gjitha grupet e punës në terren janë duke bërë verifikimet nëpër ndërtesa, ndërsa theksoi se do të vijojë edhe procesi i pagesës së dëmshpërblimeve. “Do të fillojmë menjëherë procedurat e rindërtimit; kaluam 500 pagesa, do kalojmë edhe 500 të tjera nëpërmjet Këshillit të Qarkut për të proceduar më me shpejtësi, sidomos në ato familje që kur kanë para, mund të kontraktojnë një brigadë, apo të bëjnë disa punime të tjera inxhinierike. Do të vazhdomë kontrollin në çdo shkollë, kopësht dhe çerdhe, siç kemi kontrolluar disa pallate me Institutin e Ndërtimit. Nëse vjen urdhri që kjo është e pabanueshme, atëherë do përdorim për strehim qendrat sociale dhe hoteleve në Tiranë”, nënvizoi ai.
Përveç ndihmave qendrore që mblidhen përpara Bashkisë së Tiranës, ato dërgohen në të gjitha pikat e ngritura, përfshirë edhe në Pezë, për t’u siguruar që secili ka çadrën, sidomos tek shtëpitë e rrënuara. “Ky solidaritet i paimagjinueshëm fillimisht mes nesh shqiptarësh që lamë mënjanë gërr-vërret dhe cic-micet për t’u fokusuar për të ndihmuar njerëz në nevojë, por mbi të gjitha një solidaritet i pashembullt, nga vëllezërit tanë kosovarë, gjithë fqinjët e rajonit apo edhe gjithë bota, duhet shfrytëzuar si një mundësi për të dalë më të mirë nga seç na gjeti kjo fatkeqësi. Është vërtet një krizë, por është edhe një mundësi për të bërë secili më të mirën”, u shpreh Veliaj.