Rrjeti i njohur mediatik “Al Jazeera”, i ka kushtuar një reportazh të gjatë situatës dramatike që po përjeton vendi ynë, ku tërmeti i të martës la pas 49 të vdekur dhe qindra persona të tjerë të plagosur. Kjo media raporton se qyteti bregdetar i Durrësit është braktisur nga banorët pas tërmetit që vrau dhjetëra persona: “Paslëkundjet e vazhdueshme kanë terrorizuar qytetin me 200 mijë banorë, që është kthyer në një qytet fantazmë”- shkruan “Al Jazeera”.
Në mikrofonin e “Al Jazeera” kanë folur kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha dhe Presidenti i Republikës, Ilir Meta. Lideri i selisë blu thotë se gjysma e qyteti është evakuuar, ndërsa qindra banorë të traumatizuar janë shtruar për ndihmë në spitale.
“Gjysma e qytetit është evakuuar tashmë. Njerëzit janë të terrorizuar. Qindra janë shtruar në spital dhe qindra familje kanë humbur shtëpitë e tyre”-tha Basha.
Më tej kjo media tregon edhe planin e qeverisë, ku thotë se ka nisur inspektimi menjëherë në terren për të bërë verifikimin e banesave, ndërsa ky proces shton ajo, pritet të zgjasë me ditë të tëra pasi krahas Durrësit ka shumë banesa të dëmtuara edhe në kryeqytet.
“Është e qartë se disa nga këto ndërtime ishin totalisht jashtë standardeve të sigurisë,” tha presidenti Ilir Meta për rrjetin “Al Jazeera”. Ai shtoi se për këtë duhet të behet një hetim i thellë dhe konkret.