Ushtarët amerikanë kanë përdorur gaz lotsjellës për t’i larguar përkrahësit e Iranit nga perimetri i afërt i ambasadës në Bagdad. Kjo është dita e dytë e sulmit ndaj ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Irak.
Dhjetëra pjesëtarë të një grupi militant të përkrahur nga Irani dhe përkrahësit e tyre e kaluan natën para hyrjes së ambasadës amerikane. Të martën, disa protestues arritën t’i kalojnë rrethojat dhe i dëmtuan xhamat e kompleksit të ndërtesave diplomatike.
Forcat amerikane përdorën gaz lotsjellës të mërkurën për shkak se numri i protestuesve para ambasadës u rrit dhe ata ia vunë flakën kulmit të ndërtesës për pranimin e vizitorëve.
Protestuesit e sulmuan ambasadën amerikane pas sulmeve ajrore të Shteteve të Bashkuara kundër grupit “Kataib Hezbollah”, i cili përkrahet nga Irani. Në këto sulme u vranë 25 persona dhe dhjetëra të tjerë u plagosën.
Presidenti amerikan, Donald Trump, e fajësoi Iranin për sulmin ndaj ambasadës në Bagdad dhe e kërcënoi republikën islamike se do të paguajë një çmim shumë të madh për këtë veprim.
Për më tepër, sekretari amerikan i mbrojtjes, Mark Esper, të martën në mbrëmje njoftoi se 750 trupa do të dërgohen në Lindje të Mesme për shkak të rritjes së tensioneve në Irak, shkruan “The Guardian”.