Prokuroria e Tiranës ka nisur hetimet për përhapjen e lajmeve të rreme se në Shqipëri janë prekur disa persona nga koronavirusi. Përmes një njoftimi për mediat, organi i akuzës ftoi qytetarët që kanë informacione rreth situatës në fjalë që t’i tregojnë ato.
“Prokuroria Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, Tiranë, duke marrë shkas nga të dhënat e ndryshme të bëra publike në media si dhe përhapja e mesazheve nëpërmjet telefonit, në lidhje me informacione të dyshuara si të rreme mbi përhapjen e mundshme të Coronavirusit, në vendin tonë, filloi kryesisht hetimin për veprën penale të “Përhapja e informatave të rreme që ngjallin panik. Vijojmë të ndjekim me interes të shtuar, çdo të dhënë në raport me rastin konkret, duke kërkuar mirëkuptimin dhe besimin e qytetarëve. Nga ana tjetër, mirëpresim çdo qytetar për informacionet që mundet të disponojnë.”
Lajmi për të infektuar në Shqipëri u përhap nga një studente të dielën. Sipas saj, janë 12 njerëz të prekur nga virusi kinez, por autoritetet nuk tregojnë.
Këtë mesazh ajo e kishte nisur në “WhatsApp”, ndërsa pak minuta më vonë bëri edhe një përgënjeshtrim duke u kërkuar njerëzve që ta fshijnë mesazhin e parë.
Pas kësaj, reaguan edhe ministrja Ogerta Manastirliu dhe kryeministri Edi Rama. Ata mohuan të ketë raste të prekurish në Shqipëri.