Asnjë nga organet e BFI-së nuk guxon të ketë monopol mbi jetën fetare islame në vend; asnjë nga organet e BFI-së nuk guxon të ndjehet i vetëm dhe superior në organizimin e jetës fetare. I suksesshëm do të kondsierohet ai organ, i cili, veç të tjerash, promovon, nxitë dhe motivon pjesëmarrje sa më gjithëpërfshirëse të komunitetit lokal në hartimin e strategjive, planeve dhe projekteve institucionale për një jetë sa më të dinjitetshme fetare islame
Shkruan Afrim Tahiri
Kohëve të fundit, BFI-ja pat degraduar deri në një qerthull të vullnetarizmit primitiv që e karakterizonte një përpjekje shizofrenike për t’i konkurruar në imazh institucioneve të shërbimeve sekrete. Për shkak të mentalitetit diktatorial, çdo gjë që vinte nga lartë duhej të pranohej dhe të zbatohej poshtë! Fatkeqësisht, kjo politikë funksionoi dhe për momentin duhet të nënvizojmë se, çrrënjosja e kësaj qasje “nga lartë poshtë” është sa prioritare aq edhe emergjente, sa obligative aq edhe e shenjtë!
Praktikat e qasjes nga lartë poshtë degjeneruan deri në përmasat e dogmës zhdanoviane, duke gjuajtur “shtriga” në mesin e të gjithë nëpunësve që, qoftë edhe me padashje, ia turbullonin ujin “zhdanovianit”! Për pasojë shumë nëpunës u akuzuan për “imoralitet”, për “spiunim”, për “agjentë” e deri edhe homoseksualë! Këto etiketime dhe stigmatizime i pranoi dhe i vulosi edhe “organi i verbër” (rijaseti) i cili mjaftohej me “sytë vigjilent” të Zhdanovit.
Komploti kundër nëpunësve fetarë të dinjitetshëm por që nuk preknin shijet estetike zhdanoviane, u bë “shpatë Demokleu” mbi kokën e secilit nëpunës që shpëtimin e kërkonte vetëm në zbatimin e politikave me qasje nga lartë poshtë! Platforma postreformë e BFI-së do t’i japë fund kësaj diktature bolshevike dhe kësaj doktrine që i përligjë të gjitha normat e shenjta islame.
Organet e BFI-së nuk duhet të garojnë me lojalitet absolut dhe përkuljen e tyre para “të madhit”, i cili, mbi të gjitha është kolegë i nëpunësve i përzgjedhur prej tyre për të prirë! Këtu merr fund “misioni” i të parit! Kurse aktivitetet e zhvillimit të jetës fetare, të politikbërjes, të vendimeve jetike, të reagimeve kruciale, të mbrojtjes së integritetit, të vlerave fetare islame, duhet të jenë rezultat i një gjithëpërfshirje të thellë, duke mundësuar që të dëgjohet edhe mendimi i atij myslimani që është i “izoluar” si pasojë e sëmundjes, varfërisë, pleqërisë së shtyer e i struktur në vendbanimet më të thella malore! Pra, synimi është që të instalohet përgjithmonë qasja e lidershipit nga poshtë lartë.
Si të arrihet kjo në një institucion fetar siç është BFI-ja e sotshme e degraduar nga një dogmë tërësisht antiislame?
Organet e BFI-së do të vlerësohen të suksesshme vetëm ato që arrijnë që, në territorin e vet, të motivojnë, të nxisin dhe të kenë sa më shumë shoqata myslimane, qofshin të karakterit fetar, humanitar, botues, sportiv etj. Organet e BFI-së duhet të jenë servis i këtyre shoqatave, qofshin këta nga shoqëria civile apo edhe nga komuniteti i teologëve. Aktivitetet e tyre, jo që nuk guxon të pengohen apo të shantazhohen por, duhet të gjenden mënyrat edhe për përkrahje finansiare, qofshoin këto edhe simbolike. Ata duhet të ndjehen se janë realisht zëri i komunitetit lokal, se janë në shërbim të avokimit në arrritjen e synimeve dhe qëllimeve sa më të larta. Ky zë, kjo avokaci, pa dyshim që është edhe korrektuesi më i zellshëm, forumi më këmbëngulës në çrrënjosjen e pasivitetit, autokracisë, diktaturës së udhëheqësve të organeve lokale të BFI-së, janë raportues më të denjë të anomalive, të sjelljeve, të veprimeve devijante e joprofesionale dhe joislame të nëpunësve në territorin përkatës.
Gjithashtu, këto shoqata duhet të jenë edhe në rolin e lobimit për ndryshime, qofshin ato edhe kushtetutare, lobues të formimit të organeve apo institucioneve të reja, të domosdoshme, lobues të ndryshimeve të politikave, të ndryshimeve pozitive në organizimin e institucioneve përkatëse; avokatë por edhe lobues në theksimin sa më fuqishëm të vlerave tradicionale islame të vendit tonë. Shoqatat e ndryshme me karakter islam duhet të jenë bartës të aktiviteteve fetare islame, kurse mbikëqyrës duhet të jenë orgent fetare lokale. Nuk mundet që, bie fjala, myftinia të jetë edhe bartëse e jetës fetare por edhe mbikëqyrëse, për më tepër, edhe raportuese para organit më të lartë, i cili raportimet i preferon “në katër sy”!
Rrjetëzimi i tyre nëpër territoret përkatëse, pse jo edhe në nivel republikan, do të përbëjë zërin më të fuqishëm të tyre para organeve më të larta të BFI-së në realizimin e qëllimeve të synuara ekskluzivisht në të mirë të jetës fetare, në të mirë të komunitetit dhe shoqërisë në përgjithësi dhe në të mirë të Institucionit të vetëm përgjegjës për jetën fetare islame.
Po kush do t’i avokojë të drejtat e nëpunësve fetarë të BFI-së dhe kush do të lobojë në sendërtimin e qëllimeve të tyre për një jetë sa më të dinjitetshme? Natyrisht sindikata e nëpunësve të BFI-së, qofshin këta të elementit teologjik apo civil! Derisa nuk do të themelohet një sindikatë e pavarur e këtyre nëpunësve, kurrë nuk do të përmirësohet situata e tyre aktuale e mjerueshme dhe, gjithmonë do të jenë të gjalla përpjekjet shantazhuese dhe nëpërkëmbja e dinjitetit të tyre prej hoxhallarësh dhe nëpunësish të ndryshëm. Gjithnjë do të ketë shkelje të të drejtave të tyre dhe hedhje në rrugë sa herë që do ta shprehin një kritikë publike kundër politikave apo personave të caktuar që mund të jenë patarica e “të madhit”! Taksa mujore e anëtarësimit në këtë sindikatë, brenda 3-4 viteve, nuk do të lindte asnjë hoxhë pa stazh e sigurim të paguar, problem ky që zvarritet qëllimisht tash e tridhjetë vite.
Politikbërja, zhvillimi, aktivitetet e BFI-së patjetër që duhet të kenë qasjen nga poshtë lartë. Dhe, kjo do të ndodhë se s’bën ndryshe.
Patjetër që në Maqedoninë e Veriut secili mysliman duhet të ndjehet institucional, duhet ta ketë të garantuuar përfshirjen në politikbërje të Institucionit të vet, duhet të jetë i përfshirë, sepse, kjo qasje shton kujdesin dhe rritë përgjegjësinë e fjalës dhe të veprimit të gjithësecilit.