Ministri i Financave në Qeverinë e Kosovës, Avdullah Hoti ka treguar se tashmë është përfunduar projektligji për prokurim elektronik, i cili do të hyjë në fuqi nga janari i 2016-s, ndërsa brenda një viti pritet t’i kursejë plot 80 milionë euro buxhetit të shtetit.
“Kjo është shumë e rëndësishme për ne, sepse janë rreth 700 milionë euro në bazë vjetore, që prokurohen nga Qeveria e Kosovës. Përmes këtij ligji të ri, që shpresoj se do të kalojë shpejt në procedurat e tjera në Kuvend për të hyrë në fuqi, do të rritet efikasiteti i procedurave të prokurimit, si dhe do të kemi kursime shumë të mëdha të parave publike. Vlerësimet tona të para janë, që ky ligj do të arrijë të kursejë rreth 12 për qind të shpenzimeve publike që harxhohen përmes prokurimeve, që në total janë rreth 80 milionë euro”, tha Avdullah Hoti, ministër i Financave, Kosovë.
Në konferencën e dytë gjatë fundjavës, Hoti tha se projektligji për prokurim elektronik parashikon edhe shkurtim të procedurave dhe mundësinë për lidhjen e kontratave të negociuara, kur tregu nuk ofron atë që u nevojitet institucioneve.
Po ashtu, me ligjin e ri – sipas Hotit, – do të përfitojnë edhe kompanitë e vogla dhe të mesme, pasi parashikohen edhe kontratat e ndara në lote, të cilat deri tani kanë qenë në dobi vetëm për kompanitë e mëdha.
Ai tha se me ligjin e ri, edhe organizatat e shoqërisë civile do të mund të marrin kontrata nga shteti, pasi do të trajtohen sikurse bizneset e tjera private.
Hoti ka prezantuar para gazetarëve edhe rritjen e të ardhurave buxhetore për periudhën janar-shtator 2015, e cila – sipas tij, – ka tejkaluar të gjitha pritjet.
“Ka pasur një performancë të jashtëzakonshme të të ardhurave tatimore. Mesatarisht kemi një rritje prej 7.8% të të ardhurave, prej të cilave 11.1% janë rritje e të ardhurave në ATK dhe 7.3% janë rritje e të ardhurave në Dogana. Në një situatë të tillë, ku ekonomia e Kosovës po rritet me një normë mesatare prej rreth 3%. Pra, kemi trefish më shumë të ardhura sesa rritja nominale vjetore e aktivitetit ekonomik në vend, gjë që është shenjë e luftës kundër informalitetit dhe rritjes së ekonomisë formale”, tha Avdullah Hoti, ministër i Financave.
Ministri i Financave tha se, deri në fund të këtij muaji, Qeveria do të miratojë edhe buxhetin për vitin 2016 dhe do ta kalojë në Kuvend për miratim. Por, ai tha se bllokimi i punës së Kuvendit po ndikon negativisht në shumë aspekte, duke përmendur disa marrëveshje ndërkombëtare për financim të projekteve, të cilat ndodhen në procedura parlamentare.