Burra, gra dhe fëmijë, të gjithë mund të infektohen nga koronavirusi, por pasojat janë shumë të ndryshme. Faktorë vendimtarë janë mosha, gjinia dhe sëmundjet e mundshme të mëparshme. Mediat në Gjermani thonë se Covid-19 mund të përhapet me shpejtësi në javët dhe muajt e ardhshëm, e dy të tretat e popullsisë do të infektohen.
Sipas Christian Drosten, virologu kryesor në spitalin e Berlinit Charité, nuk ka gjasa që situata të ndryshojë shumë kur të ngrohet përsëri moti dhe të marrë fund sezoni klasik i ftohjes ose gripit. Një shumicë e popullsisë do të ketë formuar në vjeshtë antitrupa kundër SARS-CoV-2, kur të vijë vala tjetër e ftohjes, thotë ai.
Njerëzit e moshuar janë veçanërisht të rrezikuar, pasi shkalla e vdekshmërisë rritet në mënyrë eksponenciale nga mosha rreth 65 vjeç. Por eksperienca me raste në Itali, tregon se është prekur shumë edhe grupmosha 40-44 vjeç. Sipas të dhënave të OBSH-së, burrat vdesin në mënyrë të konsiderueshme më shpesh se gratë nga SARS-CoV-2. Shkalla e vdekjes në Kinë në mes të shkurtit ishte 2.8% për burrat dhe 1.7% për gratë.
Ekspertët thonë se sistemi imunitar femëror është më rezistent se ai i burrave. Kjo është kryesisht për shkak të estrogjenit, i cili stimulon sistemin e imunitetit dhe lufton patogjenët më shpejt dhe në mënyrë më agresive.
Nuk është kuptuar ende ndërkohë arsyeja përse fëmijët nuk sëmuren shumë ose e kalojnë me simptoma më të buta, por mjekët supozojnë se “sistemi jo specifik” tashmë i lindur është efektiv tek fëmijët e vegjël.