Europa drejt karantinës së plotë/ Liderët e BE kërkojnë solidaritetin e qytetarëve për krizën

Europa vijon të preket nga raste të reja të të infektuarve me koronavirus. Italia, Spanja, Gjermania, Franca dhe Britania e Madhe si dhe vendet e tjera të BE-së kanë raportuar në 24 orët e fundit mbi 80 mijë të infektuar.

Shifrat e tilla kanë detyruar qeveritë e unionit të marrin masa ekstreme. Briania e Madhe vendosi mbylljen e shkollave që nga e premtja deri në një njoftim të dytë. Kryeministri Boris Johnson u shpreh se qeveria po shqyrton të gjitha mundësitë për vendosjen e masave më të ashpra, madje edhe izolimin e Londrës. Këto paralajmërime vijnë në një kohë që në Britani 104 persona kanë humbur jetën.

Gjermania vijon të mbetet e paralizuar. Kancelarja gjermane Angela Merkel u ka bërë thirrje të gjithë gjermanëve të ndihmojnë në parandalimin e përhapjes së virusit duke respektuar masat strikte.

ANGELA MERKEL
KANCELARE E GJERMANISE

“Jemi duke luftuar me një situatë tejet serioze, prandaj trajtojeni me seriozitet. Që prej ribashkimit të Gjermanisë, në fakt që prej Luftës së Dytë Botërore, nuk ka pasur asnjë sfidë për shtetin tonë ku ruajtja e solidaritetit të jetë kaq e rëndësishme.

Merkel tha gjithashtu se është e vetëdijshme që kufizimet për lëvizjen janë vështirë të pranueshme për shumë gjermanë, megjithatë ajo insistoi që çdo qytetar të kryejë detyrën për të parandaluar përhapjen e virusit. Gjermania sot ka njoftuar për 28 viktima.

Edhe në Spanjë situata paraqitet kritike. Mediat shkruajnë se që nga e hëna, në spitalet e Madridit eshte regjistruar një i vdekur çdo 16 minuta. Ndërkohë në Francë policia ka gjobitur mbi 4.000 njerëz për mosrespektimin e vetekarantiminit, gjoba të cilat variojnë nga 35 deri ne 375 euro.

Por situata vijon të mbetet kritike edhe në SHBA. Senati miratoi një projektligj per kalimin e 105 miliardë dollareve për luftimin e koronavirusit.  Irani ndërkohë po vijon të raportojë viktima çdo 24 orë, ndërsa numri i atyre që kanë humbur jetën ka arritur në mbi 1.000. Rusia ndërkohë raportoi viktimën e parë nga koronavirusi, ndërsa numri i të infektuarve është rritur në 147.

Leave a Reply