Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari Lila shpërtheu në sulme kundër LDK, për inicimin e mocionit të mosbesimit dhe rrëzimin e qeverisë “Kurti” në këto ditë krize. Në një lidhje live për emisionin “7 pa 5” të gazetares Pranvera Borakaj, ajo tha se ky moment ishte i turpshëm.
Sipas saj, përmes vendimit u provua që partitë politike në Kosovë mendojnë vetëm për postet dhe jo për qytetarët. Mimoza Kusari Lila nuk kurseu akuza edhe për presidentin Hashim Thaçi, për të cilin tha se ka mbajtur një qëndrim të njëanshëm.
Deputetja e LVV sqaroi se qeveria “Kurti” do të vijojë në detyrë derisa të kalojë kriza e pandemisë prej koronavirusit dhe më pas do të zhvillohen zgjedhje.
Intervista e plotë:
Sa e dëmton Kosovën në një moment të tillë një sjelle e tillë e klasës politike?
Ka qenë gati e pabesueshme se mund të arrijnë deri në këtë pikë kur deputetët e Kuvendit të Kosovës do të pranonin dhe do të hynin në një seancë, e cila për gati 12 orë, ishin në një hapësirë në kohën kur është shpallur një pandemi globale. Në fakt unë nuk kam besuar se do të arrihej mbajtja e seancës, por ja që ndodhi. Ajo çfarë ndodhi nuk është për krenari në fakt, është për turp dhe fatkeqësisht do të mbahet mend si një ditë kur deputetët e Kuvendit të Kosovës zgjodhën politikën dhe postet politike, një axhendë e cila edhe sot e kësaj dite është me të vërtetë shumë e trishtë, në vend të interesit publik, interesit të qytetarëve dhe atë për çfarë janë votuar. E gjithë kjo situatë, ku ne ishim dëshmitarë, tregon që ne kemi nevojë edhe më të madhe që të kthehemi mbrapa te sovrani dhe të gjithë ata që mendojnë se kanë legjitimitetin që të vendosin në emër të popullit dhe të flasin për popullin duke bërë fushatë me një kauzë tjetër dhe pastaj ndërrojnë komplet axhendën, atëherë nuk do ta kenë të lehtë dhe nuk do të shkojnë në atë drejtim, duke rrezikuar kështu të gjithë shtetësinë e Kosovës.
Si pritet të zgjidhet kjo krizë politike? Cilat janë zgjidhjet kushtetuese në një moment të tillë?
Është hera e parë që është organizuar një mocion mosbesimi dhe nuk është shpërbërë Kuvendi, nuk është kërkuar që të shkohet automatikisht në zgjedhje të reja. Se nënkuptohet që ata që kryejnë mocionin e mosbesimit, kanë dëshirë që ta çojnë vendin në zgjedhje të parakohshme për të marrë mandatin për të qeverisur në vend të qeverisë paraprake. Ky nuk është rasti. Prandaj, në rrethanat aktuale kemi qeverinë në detyrë, kryeministrin në detyrë dhe ministrat. Kryeministri nuk ka dhënë dorëheqjen. Ata mbeten në detyrë deri në momentin kur do të krijohen kushtet për të shkuar tek kutitë e votimit. Edhe pse këto dy ditë dje dhe mbrëmë gjatë gjithë kohës ka pasur pretendime nga përfaqësues të Lidhjes Demokratike të Kosovës, iniciuese e këtij mocioni, se ata duhet të marrin tashmë Kryeministrinë dhe të formojnë qeverinë se mund të kenë shumicën. Edhe pse do të jetë një dobësim përmbajtësor jo vetëm i qeverisë, por edhe i vlerave demokratike në vend, pa një axhendë të qartë në atë se pse duhet të ndërmerrnim këtë hap në këtë moment nëse dialogu me Serbinë është çështja, atëherë as Serbia, as Kosova dhe as SHBA në këtë moment nuk janë në pikën ku prioritare kanë dialogun. Të gjithë janë në një “lock doën” dhe janë duke u ballafaquar me sfidat e pandemisë globale.
Dje presidenti Hashim Thaçi ka deklaruar se do të mbledhë liderët politikë për të diskutuar dhe për të vendosur se çfarë do të bëhet tashmë pas mocionit të mosbesimit. Mesa duket ai i referohet nenit 95 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, ku presidenti duhet të mbledhë liderët politikë dhe duhet të konsultohet me ta.
Neni 95 i Kushtetutës parasheh thirrjen e liderëve pas zgjedhjeve. Presidenti i Republikës i propozon Kuvendit kandidatin për kryeministër dhe pastaj janë afatet që parashihen me procesin që ndërlidhet me një proces që zbardhet. Por tani nuk e kemi të njëjtën situatë. Presidenti nuk mund të tregojë se cila do të jetë përbërja e ardhshme e qeverisë, për shkak se ai paraqet faktorin e unitetit. I është dashur ta paraqes në fakt sepse nuk është rasti me presidentin Thaçi. Në këtë rastin konkret ne asnjëherë nuk kemi pasur situatë kur qeveria kalon në mocion të mosbesimit dhe pastaj cilat janë proceset për të formuar një qeveri tjetër. Presidenti e ka të domosdoshme që t’ja kërkojë Lëvizjes Vetëvendosje si e para që ka dalë e para në këto zgjedhje një mandatar të ri, por nuk thuhen pastaj afatet sesa kohë i duhet LVV që të kthejë përgjigje për këtë mandatar të ri, i cili duhet ta ketë shumicën në Kuvend. Ndërkohë, vendi nuk është pa qeveri. Qeveria aktuale vijon t’i kryejë obligimet e saja, që lidhen kryesisht me menaxhimin e krizës pas pandemisë globale.
Për sa i përket deklaratës së përbashkët nga ndërkombëtarët, ku kanë përgënjeshtruar edhe akuzat e kryeministrit Kurti, si i lexoni deklarata të tilla?
Edhe ambasadori Grenell që është drejtpërdrejt i angazhuar me dialogun Kosovë-Serbi, por edhe përfaqësues të Departamentit të Shtetit dhe ambasadës amerikane në Kosovë kanë përcjellë atë se çfarë ndodhi këtu në raport me procesin në Kuvend. Por më duhet të them që të gjitha diskutimet dhe teoritë për ndarje apo shkëmbim territoresh nuk janë. Unë jam vetë dëshmitare e takimeve me diplomatë të lartë, në të cilin është përmendur fakti se dy presidentët Vuçiç dhe Thaçi kanë nxjerrë hartat dhe kanë diskutuar për shkëmbim territorial. Është vetë presidenti Thaçi që vitin e kaluar organizonte gati çdo ditë një seri konferencash në Kosovë, ku dilte dhe fliste se Kosova nuk do të japë territor, por do të marrë territor. Dhe çështjen e territorit nuk e sollëm ne partitë politike si çështje të diskutimit të lirë apo teori konspirative. Ishte ajo që u vërtetua dhe u konfirmua dhe pastaj direkt dhe indirekt u tha në vazhdimësi nga presidenti Thaçi. Këto diskutimet e fundit, se çfarë është thënë mes Vuçiç dhe Thaçit, është një terr informativ. Nuk ka pasur informacione në Kosovë. Këto takime nuk kanë qenë zyrtare sepse ne kishim ish-qeverinë në dorëheqje dhe ka ardhur deri në një pikë ku thuhet se marrëveshja është e domosdoshme. Duhet një marrëveshje finale me Serbinë, por para së gjithash ne na duhet një proces që garanton barazi dhe natyrisht drejtësi për të gjithë ata që pësuan gjatë luftës në Kosovë. Krejt çfarë ne kemi parë ka qenë një nivel diskutimi për pazare të organizmit politik, veçanërisht të presidentit, fatkeqësisht, sesa një zgjidhje që do të jetë e qëndrueshme dhe e pranueshme për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës dhe të Serbisë.
Kur e gjithë vëmendja është e përqendruar tek pandemia e koronavirusit, këto zhvillime kaq të rëndësishme, në skenën politike në Kosovë, janë të rastësishme apo të qëllimshme në këtë moment?
Janë të qëllimshme përderisa bëhen me plan nga parti të caktuara. Por fatkeqësisht tregojnë papjekuri politike dhe distancimin e këtyre partive me normat apo me vlerat e mirëfillta demokratike. Në një situatë të tillë, në këto rrethana nuk do të duhej as të diskutohej qëndrushemëria e qeverisë. Ne kemi pasur rastin e Belgjikës, rastin e Rumanisë, tani gati është edhe qeveria e Izraelit, të cilat kanë kaluar të njëjtin proces, ka patur një mocion mosbesimi me 5 shkurt. Por është mbledhur sërish Parlamenti i Rumanisë dhe ka mandatuar sërish të njëjtën qeveri me përbërje me mandat të plotë që të vijojë luftën kundër koronavirusit. E njëjta në Belgjikë. Në Izrael kemi përgatitje për qeveri gjithëpërfshirëse në këto rrethana. Pse Kosova duhet të japë një shembull të keq në nivel globi, në momentin kur e ka një qeveri, e ka një shumicë dhe shkon dhe inicion një mocion mosbesimi për të rrëzuar veten dhe të krijojë këtë situatë anormale. Këtu janë dy shpjegime: Ose këta janë aq shumë jashtë kontekstit të përgjithshëm se çfarë po ndodh me pandeminë, ose me të vërtetë e konsiderojnë se kur e marrin mandatin nuk kanë asnjë obligim ndaj elektoratit. Ka një shkëputje dhe distancim total me vlerën bazike të demokracisë, përfaqësimin e interesave të qytetarëve.
Qytetarët në Kosovë janë të shqetësuar për këtë situatë përsa i përket masave të marra, menaxhimit të situatës, agravimit të situatës. Duhet të jenë të qetë apo këtë gjë nuk mund ta themi dot përsa i përket masave të marra dhe menaxhimit përsa i përket aspektit shëndetësor në këtë situatë?
Asnjëherë më parë nuk kam qenë më krenare për punën e ministrave të kësaj qeverie. Kemi patur një menaxhim të shkëlqyer të situatës në raport me masat parandaluese për shpërndarjen e virusit. Masa të vazhdueshme dhe angazhim maksimal të qeverisë. Dua t’u them të gjithë qytetarëve që të mos brengosen. Qeveria në detyrë ka kompetencë të plotë që të marrë vendime dhe të menaxhojë situatën. Do ta shtyjmë maksimalisht deri kur të dalim nga kriza e pandemisë dhe t’u drejtohemi kutive të votimit. Nuk mundemi të bëjmë puçe politike në Kosovë dhe më pas të shpresojmë se mund t’ia zgjasim mandatin në arsyetim të krizës. Për t’u rikthyer tek pyetja nëse është e planifikuar. E planifikuar në pikën që mendohet se është situata, është pandemia, rrëzojmë qeverinë dhe krijojmë një tjetër dhe nuk shkojmë në zgjedhje. Vullneti i popullit nuk mund të tjetërsohet dhe i vetmi legjitimitet i ndryshimeve të tilla bëhet përmes procesit zgjedhor.