Në 24 orët e fundit janë regjistruar 15 raste të reja me COVID-19. Zëvendësministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli përditësoi të dhënat këtë të diel dhe njoftoi se në total numri i të infektuarve ka shkuar në 212 në të gjithë Shqipërinë.
“Në 24 orët e fundit janë testuar 111 persona të dyshuar, prej të cilëve janë konfirmuar 15 raste të reja me COVID-19. Deri në këto momente janë testuar 1436 raste të dyshuara dhe prej tyre janë të konfirmuar pozitivë me COVID-19, 212 raste. Nga COVID-19 kanë humbur jetën deri tani 10 qytetarë.”
Në Spitalin Infektiv marrin shërbim mjekësor 76 pacientë. Gjashtë prej tyre janë në terapi intesive, ndërsa katër janë në gjendje më të rënduar.
“Në shërbimin infektiv aktualisht janë 76 të shtruar. Prej tyre 6 janë në terapi intensive nga të cilët 4 janë të intubuar. Pjesa tjetër e të shtruarve në pavion janë në gjendje të stabilizuar deri në këto momente. Kemi 7 të shëruar në 24 orët e fundit mes të cilëve 2 mjekë të spitalit “Shefqet Ndroqi”. Deri tani kemi 40 të shëruar pas testeve të kontrollit të kryera kanë rezultuar negativë.”