Pas shkarkimit të rektorit të Universitetit të Prishtinës ka reaguar edhe Qeveria e Republikës së Kosovës, e cila e konsideron jo të drejtë dhe të dëmshëm për universitetin vendimin e marrë të mërkurën për shkarkimin e rektorit, Ramadan Zejnullahu.
Në reagimin e Qeverisë thuhet se, “Kryeministri Isa Mustafa në koordinim të plotë me ministrin e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami, do të kërkojnë rishikimin e këtij vendimi”.
“Qeveria e Republikës së Kosovës konsideron se Universitetit të Prishtinës nuk i duhen veprime të tilla që e dëmtojnë Universitetin e Prishtinës, pikërisht në periudhën kur Universiteti po bën hapa të mëdhenj përpara në drejtim të ngritjes së cilësisë dhe avancimit të gjithëmbarshëm të Universitetit të Prishtinës ‘Hasan Prishtina’”.