Shtetet e Bashkuara thyen një rekord të ri botëror për numrin e viktimave ditore në koronavirusi. 1169 të vdekur u regjistruan në 24 orët e fundit, teksa numri i përgjithshëm i viktimave arriti në rreth 6100. Mbi 6 mijë persona iu shtuan listës së të prekurve brenda një dite duke e çuar numrin e përgjithshëm të tyre në mbi 245 mijë, që prej nisjes së pandemisë. Vetëm 4.2% e tyre janë shëruar deri më tani. Megjithatë, Shtetet e Bashkuara kanë ritmet më të larta të përhapjes së pandemisë.
E premtja shënoi një tjetër shifër tepër të lartë viktimash ditore në Spanjë. 932 persona humbën jetën në 24 orët e fundit, 18 më pak se rekordi absolut i të enjtes. Ky vend numëron tashmë afro 11 mijë viktima në total, ndërsa ka kapërcyer Italinë për nga numri i të prekurve që ka arritur në afro 118 mijë më shumë se 5 mijë rasteve të reja të infektimit. Megjithatë edhe Spanja ka nisur të tregojë qëndrueshmëri përsa i përket ritmeve të përhapjes.
Autoritetet britanike parashikojnë që e diela e Pashkës, 12 prilli, të shënojë edhe kulmin e shpërthimit të pandemisë. Britania e Madhe numëron aktualisht afro 3 mijë viktima dhe mbi 33 mijë të prekur, teksa përhapja po shtohet me ritme të shpejta. Qeveria britanike njoftoi se ka në plan të bëjë 100 mijë analiza ditore për rastet e dyshuara me koronavirus.
Tashmë edhe Gjermania ka më shumë të prekur nga koronavirusi se Kina. Ky vend numëron mbi 85 mijë të prekur prej fillimit të pandemisë, ndërsa numri i të vdekurve arriti në 1111. Kancelarja gjermane Angela Merkel i dha fund karantinës 20-ditore pasi rezultoi negative edhe në testin e katërt dhe përfundimtar për koronavirusin. Dyshimet se ajo ishte infektuar lindën pasi mjeku personal rezultoi pozitiv.
I gjithë globi numëron mbi 1 milion të prekur e më shumë se 50 mijë të vdekur. Të shëruarit përbëjnë aktualisht 21% të totalit të të prekurve.