Postulati latin “drejtësi e vonuar, drejtësi e mohuar”, me siguri duhet të mos jetë aspak në vëmendje të gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë.
Këtë e vërteton fare mirë dosja e “21 Janarit”, e cila këtë të mërkurë mbush plot dy vite që është hedhur në short dhe ende nuk dihet asgjë për fatin e saj.
Me gjithë kohën që ka kaluar, por edhe ndjeshmërinë e kësaj çështjeje të lidhur me demonstratën e 21 janarit, në të cilën u vranë 4 shtetas, Gjykata e Lartë nuk ka caktuar ende një datë për të çelur procesin gjyqësor.
Jo zyrtarisht deklarohet se, dosja me të pandehur ish-komandantin e Gardës së Republikës, Ndrea Prendi; ish-shoferin e tij, Margarit Kume, dhe ish-komandantin e njësisë speciale, Agim Llupo, ndodhet në dhomë këshillimi, gjë që do të thotë se, prej datës 28 tetor 2013, 5 gjyqtarët e Kolegjit Penal që janë përcaktuar me short, ende po mendohen se çdo të bëjnë me këtë çështje. Nëse do caktojnë apo jo një datë për të shqyrtuar rekursin e Prokurorisë, apo nuk do ta kalojnë fare për gjykim.
Kjo dosje, aktualisht është në dorë të relatorit të saj, Edmond Islamaj, dhe anëtarëve Guxim Zenelaj, Tom Ndrea , Artan Zeneli dhe Shkëlzen Selimi. Interesimit të Top Channel se, përse me gjithë kohën që ka kaluar nuk është vendosur ende për një datë, këshilltarja e Gjykatës së Lartë, Ida Vodica, iu përgjigj duke thënë se ‘nuk ka asnjë koment’.
Zyrtarisht, kreu i Gjykatës së Lartë deklaroi në shkurt të këtij viti se, dosja do të gjykohet brenda 6 muajve, por mesa duket kjo deklaratë e kryetarit nuk u mor parasysh nga trupa gjyqësore, e cila ka kompetencat për të vendosur mbi datat e gjykimit të dosjes.
Ish-komandanti i Gardës së Republikës, Ndrea Prendi u dënua me një vit burgim për akuzën e “vrasjes nga pakujdesia” të demonstruesit Faik Myrtaj, ndërkohë që vartësi i tij Agim Llupo u dënua me 3 vite për të njëjtën akuzë, për vrasjen e Ziver Veizit.
Për të dyja shkallët e gjyqësorit, Prokuroria nuk mundi të bindte se zyrtarët e Gardës i kishin vrarë ata me dashje të drejtpërdrejtë, pasi nuk arriti të sjellë dot një motiv. Po ashtu, për plagosjen e 7 të tjerëve, gjykatat u shprehën se nuk u gjetën predha të qitura nga armët e tyre.
Ndërkohë që kanë mbetur pa autorë dhe Prokuroria nuk ka gjetur ende që nga 21 janari i 2011-s, se kush janë të dyshuarit e vrasjes së demonstruesve Hekuran Deda e Aleks Nika.