Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, i shoqëruar nga zv.kryeministri Hashim Thaçi dhe nga ministri i Integrimit Evropian Bekim Çollaku, kanë mbajtur një konferencë për shtyp pas kthimit nga Strazburgu ku u nënshkrua Marrëveshja e Stabilizim Asociimit.
Në fjalën e tij, Mustafa tha se pas shpalljes së pavarësisë, MSA është arritja më e madhe për shtetin e Kosovës, e cila hapë rrugën e sigurt për anëtarësim në Bashkim Evropian.
Ndërsa zv.kryeministri Thaçi, pasi uroi për MSA-në, tha se ky është vit i sukseseve të Kosovës. Ai u shpreh optimist për anëtarësimin e plotë të vendit në UNESCO dhe në organizta të tjera të fushave të ndryshme.
Ndërsa ministri i Integrimit Evropian, Bekim Çollaku tha se qytetarët këtë vit pritet të marrin edhe lajme të mira nga Brukseli, duke u shprehur i sigurt se së shpejti do të vijë rekomandimi për heqjen e vizave dhe sipas tij, gjatë vitit 2016 kosovarët do udhëtojnë lirshëm në zonën Schengen.
Përfaqësuesit e qeverisë u shprehën optimistë se ratifikimi i MSA-së në Kuvendin e Kosovës nuk do të bllokohet nga opozita.