Sot ka qenë dita me numrin më të ulët të të infektuarve me Covid-19 në vendin tonë që prej fillimit të pandemisë. Në një dalje për mediat, Eugena Tomini nga Instituti i Shëndetit Publik ka njoftuar se në 24 orët e fundit janë testuar 168 qytetarë, ku prej tyre vetëm 2 kanë rezultuar pozitivë, në qytetin e Durrësit.
Deri më tani janë kryer në total 12500 testime, ku prej tyre kanë rezultuar 948 raste pozitive, me rreth 77% të tyre të shëruar tashmë.
Aktualisht në vendin tonë janë 190 pacientë aktivë pozitivë, përkatësisht në qytetin e Tiranës, Durrësit, Krujës dhe Shkodrës.
Sakaq, në spitalet Covid janë 15 pacientë të shtruar dhe 3 prej tyre në terapi intensive.
“Në kushtet e lehtësimit të masave, zgjerimit të fashave orare të lëvizjes, heqjen e të gjitha autorizimeve të lëvizjes, ekspozimi ndaj infeksionit rritet shumë dhe barra e çdo individi për të ruajtur veten e të tjerët gjithashtu.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale apelon qytetarët të tregohen të përgjegjshëm, duke respektuar distancimin fizik, duke ruajtur higjienën personale, duke shmangur vizitat tek të afërmit për çdo lloj arsye, ndërsa bizneset duhet të zbatojnë protokollet strikte. Qytetarët të jenë të kujdesshëm dhe të mos neglizhojnë shenjat e sëmundjes Covid-19, ndaj ju lutemi telefoni në numrin unik të Urgjencës Kombëtare, 127″.