Këshilli Kombëtar për Integrimin u mblodh këtë të martë. Pjesëmarrës në këtë takim ishin Kryeministri Edi Rama, Presidenti Ilir Meta, kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi etj.
Ajo që u vu re gjatë kësaj mbledhjeje ishte se u bënë bashkë në një tavolinë Presidenti dhe Kryeministri. Gjatë fjalës së tij, Presidenti Meta tha se ecja përpara në rrugën europiane kërkon një sjellje europiane ku mbi të gjitha mbizotëron dialogu mes palëve. Kushtet ndaj Shqipërisë kanë ardhur në rritje sipas tij dhe duhen marrë seriozisht. Ai përshëndeti edhe marrëveshjen për Reformën Zgjedhore.
“ Dialog nuk do të thotë vetëm të flasësh, por edhe të dëgjosh. Bashkëpunim nuk do të thotë vetëm të marrësh, por edhe të ofrosh. Në këtë kontekst dua të vlerësoj se marrëveshja që u dakordësua në Këshillin Politik për Reformën Zgjedhore, ishte një hap i rëndësishëm përpara. Padyshim sfida e vërtetë do të jetë zbatimi besnik i Kodit të ri Zgjedhor, dhe sjellja e secilit aktor për të siguruar një proces zgjedhor me integritet që mbron dhe respekton votën e lirë të qytetarëve”, tha Meta, ndërsa shtoi se do të punojë gjithmonë për integrimin e vendit.
Edhe Kryeministri Edi Rama u shpreh se integrimi i vendit nuk mund të ndodhë pa kontributin e të gjitha palëve. Megjithatë sipas kryeministrit institucionet tashmë janë më të përgatitur për këtë proces.
Sa i përket Reformës Zgjedhore, kreu i qeverisë tha se të gjithë forcat politike u mblodhën në një ambasadë “për të lënë gjërat siç janë”. Rama tha se nuk mund të bëhen më marrëveshje nëpër ambasada. Madje ai theksoi se kjo është e fundit për të, ndërsa u shpreh se palët duhet t’i zgjidhin vetë problemet e brendshme.
“Besoj që në fund të ditës ne mund të bëjmë një rrotullim 360 gradë të vështrimit tonë dhe mund të gjejmë në gjithë atë rreth të çështjeve, sfidave dhe probleme plot arsye për të thënë e bardhë, për të thënë e zezë, por askush nga ne nuk i shmanget dot një vrime të zezë që e kemi ende sot e gjithë ditën në këtë hapësirë dhe po për fat të keq, krahasuar me të gjitha vendet anëtare të BE-së dhe parë eksperiencat e atyre që kanë kaluar para nesh në këtë proces jemi realisht të pashoq në një paaftësi kronike për të dialoguar, për t’u mirëkuptuar mes veti, për të gjetur mes veti zgjidhje për ato çështje që rëndojnë. Janë çështje që janë krijuar nga keqkuptime politike. Janë gjithmonë sebepe që nuk e konkurrojnë madhësinë dhe peshën e një qëllimi që këtu në Shqipëri e ndajnë të gjitha partitë, të gjitha forcat shoqërore. Ky qëllim i madh i ndarë bashkarisht e bënë të duket akoma më problematik faktin që jemi ende të paaftë që të komunikojmë shqip me njëri-tjetrin. Rasti i fundit që përmendet çdo ditë dhe përshëndet çdo ditë është flagrant. Jemi mbledhur në një ambasadë të gjithë përfaqësuesit e forcave më të mëdha në vend mbledhur në atë vend për të lënë gjërat siç janë. Për t’u marrë vesh që nuk do bënim atë që duhet të bënim dhe t’i lëmë ashtu siç ishte. Pse duhet të kërkonim strehë në një ambasadë shumë mike në këtë vend dhe pse duhej që komunikimi mes nesh të kalonte në disa gjuhë dhe përgjigjet të jepeshin në disa bedelë? Mendoj që kjo duhet të jetë e fundit dhe miqtë tanë, të paçmueshëm nuk duhet të ndjehen më në këtë pozitë, ashtu sikurse besoj që vetë populli shqiptar nuk ka pse të shohë në sytë e ambasadave. Nuk është sekret që me Presidenti kemi çështje të hapura, por patjetër që mund të takoheshim dhe mund të takohemi tek Presidenti, mund të takohemi tek kryetari i Kuvendit, mund të takohemi tek kryemyftiu, tek Baba Mondi, mund të shkojmë tek protestantët, por nuk mund të bëjmë më marrëveshje nëpër ambasada. Kjo duhet të jetë e fundit dhe sa më takon mua kjo është e fundit. Dua që ndërkombëtarët ta dinë që për çështje na takon ti zgjidhim vetë dhe jemi serioz që duam ta bëjmë Shqipërinë anëtare të BE-së nuk mund të bëjmë sikur jemi të njëjtë për të zgjidhur çështjet bashkarisht. Këtu duhet të ishte edhe opozita. Opozita e sotme është alternative e sotme dhe qeveria e nesërme sepse siç e kemi parë, 11 vjet përpara është bërë aplikimi, 6 vjet më parë është marrë statusi ka qenë një qeveri tjetër, kur të vijë dita në integrimi do të jetë një qeveri tjetër”, tha Rama.