Një ilaç i lirë dhe mjaft i disponueshëm, i quajtur dexamethasone, mund të ndihmojë për shpëtimin e jetës së pacientëve të sëmurë rëndë me koronavirus.
Ekspertët e Universitetit të Oksfordit në Britani thonë se përdorimi i këtij steroidi me dozë të ulët është një gjetje me rëndësi në luftën kundër virusit vdekjeprurës.
Ai pakëson rrezikun e vdekjes me një të tretën për pacientët që janë në respirator. Për ata që janë me oksigjen, ilaçi e ul numrin e vdekjeve me një të pestën.
Ky është trajtimi i parë që premton shpëtimin e pacientëve të sëmurë rëndë me COVID-19.
Ilaçi ka një histori përdorimi 60-vjeçare dhe prandaj kushton lirë.
Mjekët dhe kompanitë e ndryshme prej kohësh po kërkojnë trajtime që shpëtojnë jetën e pacientëve me koronavirus.
Ilaçi antiviral remdesivir i firmës Gilead Sciences, që tashmë është miratuar për koronavirusin, ka demonstruar vetëm aftësinë për shkurtuar periudhën e shërimit të pacientëve.
Ilaçi steroid dexamethasone deri tani është përdorur për trajtimin e sëmundjeve të tilla si reumatizma, astma, alergjitë dhe madje ndihmon të sëmurët me kancer për të lehtësuar efektet anësore të kimoterapisë./VOA/