Deri në orën 18 të së dielës, kryeqytetet e vendeve anëtare të Bashkimit Europian do të kenë dorëzuar listën e vendeve me të cilat hapin ose jo kufijtë në 1 korrik. Ideja fillestare është që lista për vendet nga të cilat do të udhëtojnë qytetarë drejt BE do të ketë më pak se 20 vende
Përfaqësuesit e përhershëm të shteteve anëtare të Bashkimit Europian kanë arritur mbrëmjen e së premtes një marrëveshje të përkohshme për kriteret që duhen plotësuar për të vendosur se me cilat nga vendet e treta do të rihapen kufijtë europianë.
Duke filluar që nga 1 korriku do të lehtësohen masat në fuqi ndaj vendeve që nuk janë pjesë e zonës Shengen. Është hartuar një listë e përkohshme që përmban 20 vende, të cilat kanë regjistruar në dy javët e fundit numër rastesh me Covid 19, nën mesataren e Bashkimit Europian për çdo 100 mijë banorë, do të thotë 16 raste për 100 mijë banorë.
Projekti i rekomandimeve, kriteret dhe listat e përkohshme të hartuara nga ambasadorët u janë dërguar kryeqyteteve, që kanë kohë deri në orën 18 të ditës së dielë për të shprehur mendimin e tyre. Nëse një mazhorancë do të votojë pro, atëherë do të nisë procedura e aktivizimit, në të kundërt të hënë do të ketë një mbledhje tjetër të komitetit të përfaqësuesve të përhershëm.
Shtete e Bashkuara të Amerikës nuk janë në listat e përkohshme, as në atë që përfshinte 50 vende e që më pas u reduktua në 20. Lista do të rishikohet vazhdimisht në varësi të zhvillimit të situatës epidemiologjike.
Rritja e numrit të rasteve të reja me koronavirus , në 24 orë në vendin tonë rrezikon që Shqipëria të futet te lista e vendeve që nuk do ju hapen kufijtë në BE, bashkë me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor.