Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Greg Delawie ka thënë se ShBA-të janë duke punuar shumë për të inkurajuar të gjitha shtetet e botës, që të votojnë në favor të Kosovës për anëtarësim në UNESCO.
Këtë deklaratë ambasadori Delawie e bëri të enjten në Shipol të Mitrovicës, ku ndodhej për themelimin Autoritetit më të ri për Kredi Zhvillimore, cili do t’u sigurojë garanci të pjesëshme kredive për ndërmarrjet në pronësi të grave.
“Mendojmë se kjo është një çështje shumë e rëndësishme. Votimi do të ndodhë të hënën e ardhshme në Asamblenë e përgjithshme të UNESCO-s. Jemi duke punuar shumë me të gjithë partnerët në Kosovë si dhe me tërë botën, për t’i inkurajuar të gjitha shtetet që të votojnë në favor të Kosovës, sepse kjo do të ishte rezultati më i duhur dhe më i përshtatshëm për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore të të gjitha komuniteteve në Kosovë”, tha ambasadori Delawie.
Deklarata e ambasadorit amerikan në Prishtinë mbërrin pas përshkallëzimit të fushatës negative të Serbisë që kundërshton anëtarësimin e Kosovës në UNESCO.
Konferenca e Përgjithshme e UNESCO-s tashmë ka miratuar axhendën në tërësi me pikën për shqyrtimin e kërkesës së Kosovës, pavarësisht kërkesës së Serbisë që kjo pikë të hiqet.
Votimi do të bëhet më 9 nëntor, ndërsa për t’u pranuar, Kosovës i duhen dy të tretat e votave në Konferencën e Përgjithshme, e cila përbëhet nga 195 vende anëtare.