Komisioneri i BE-së për Zgjerim, Johannes Hahn viziton Kosovën ditën e premte. Axhenda e tij fillon në mëngjes me pritjen nga Presidentja e Republikës, Atifete Jahjaga, ndërsa pas takimit me kryeministrin Isa Mustafa pritet të ketë edhe një dalje të përbashkët për shtyp.
Më pas, përpara se t’i drejtohet Kuvendit të Kosovës, komisioneri do të takohet edhe me kreun e këtij institucioni, Kadri Veseli. Në orën 11 parashikohet të nisë edhe seanca e Kuvendit, ku Komisioneri për Zgjerim do t’u drejtohet deputetëve të pranishëm me një fjalim.
Hahn i drejtohet Kuvendit në mesin e një krize politike që ka lindur pikërisht në mjediset e këtij institucioni të shndërruar në arenë përleshjesh, jo vetëm verbale, por edhe përdorimi të gazit lotsjellës. Megjithatë, përfaqësuesit e opozitës kanë deklaruar pak ditë më parë se nuk do ta pengojnë seancën ku do të marrë pjesë Hahn, ashtu siç vepruan edhe me seancën ku mori pjesë presidenti austriak dhe atë ku u miratua MSA-së.
Vizita e Hahn, sipas axhendës së publikuar nga Zyra e BE-së në Prishtinë, vijon pasdite në Mitrovicë me një vizitë në një fabrikë për Trajtimin e Ujit në Shipol. Më pas parashikohet edhe një takim me përfaqësues të politikanëve nga radhët e komunitetit serb në Kosovë; zëvendëskryeministrin Branimir Stojanovic, zëvendëskryetarin e Kuvendit Sllobodan Petroviç, dhe liderin e Listës Serbe Sllavko Simiç.