Bashkimi Evropian synon të rrisë presionin ndaj presidentit të Bjellorusisë, Alyaksandr Lukashenka, si përgjigje ndaj shtypjes brutale të protestave të shkaktuara nga zgjedhjet, të cilat blloku evropian i ka përshkruar si “as të lira, as të drejta”.
Pak para mbajtjes së takimit të jashtëzakonshëm të ministrave të Jashtëm të BE-së në Bruksel, autoritetet bjelloruse kanë nisur lirimin e qindra të ndaluarve në mëngjesin e së premtes.
Shumë prej të burgosurve kanë folur për kushtet e tmerrshme të ndalimit, për rrahje dhe keqtrajtime tjera, derisa organizata ndërkombëtare për të drejta të njeriut, Amnesty International, ka thënë se këto pretendime tregojnë për “torturë të përhapur”.
Të paktën dy protestues kanë vdekur dhe rreth 6,700 persona janë ndaluar prej kur kanë shpërthyer protestat më 9 gusht, meqë rezultatet zgjedhore kanë treguar se lideri autoritar, Lukashenka ka fituar një mandat të gjashtë presidencial me 80 për qind të votave.
Ky pretendim është kundërshtuar nga kandidatja opozitare, Svyatlana Tsikhanouskaya, e cila është detyruar të ikë në Lituani.
Shefi i BE-së për Politikë të Jashtme, Josep Borrell, që ka bërë thirrje për organizim të takimit të diplomatëve të lartë të bllokut evropian, ka kërkuar edhe dhënie fund të shtypjes në Bjellorusi, si dhe respektim të të drejtave të njeriut dhe demokracisë.
Ai ka thënë se një ndryshim i madh politik është parakusht për zhvillim të mëtutjeshëm të marrëdhënieve në mes të BE-së dhe Bjellorusisë.
Në Berlin, ministri i Jashtëm gjerman, Heiko Maas ka thënë se BE-ja “duhet të rrisë presionin ndaj udhëheqësit” në Minsk.
“Është krejtësisht e qartë se shtypja brutale dhe ndalimi i protestave paqësore nuk do të tolerohet në Evropën e shekullit 21”, ka thënë Maas.
Ai ka thënë se në BE ka “diskutime intensive për sanksione”, kundër regjimit bjellorus./ REL