Një ditë pasi ministrja e Shëndetësisë prezantoi strategjinë për përballimin e pandemisë në vjeshtë dhe dimër, duke njoftuar edhe fushatë vaksinimi falas për gripin e zakonshëm, kanë reaguar ekspertët e opozitës.
Sipas tyre, strategjia e e prezantuar dje nga Ministrja e Shëndetësisë, është një hap i vonuar dhe jo i plotë. Ekspertë nga opozita deklarojnë se pikat kryesore të planit të qeverisë janë kërkuar nga kreu i opozitës, Lulzim Basha që në 26 korrik. 3 javë më parë, Basha kërkoi vaksinimin falas.
Lexoni më poshtë reagimin e Partisë Demokratike:
“Qeveria duhet të marrë urgjentisht masat dhe të sigurojë vaksinën e gripit falas për të gjithë popullsinë në vjeshtë. Kjo do të mbronte shqiptarët nga influenca e stinës dhe komplikacionet e saj, dhe do të ndihmonte sistemin tonë shëndetësor për ta patur atë të gjithin në dispozicion dhe të përgatitur për ta përballuar pandeminë COVID-19”, thekson lideri i opozitës që në 26 korrik.
Qeveria akoma nuk e ka përmbushur plotësisht këtë pikë, por deklaroi dje se po shikonte mundësinë e rritjes së numrit të atyre që e përfitojnë falas.
Gjithashtu, ekspertët e opozitës, konsiderojnë se një pjesë e rëndësishme e strategjisë antiCovid duhet të jetë rritja testimeve dhe gjurmimi i rasteve. Qeveria ka bërë të ditur se do të dyfishojë kapacitetet në shtator, por nga pikëpamja e opozitës, edhe ky është një hap gjysmak dhe i vonuar, që ka çuar në përhapjen me shpejtësi të virusit dhe të rritjes së numrit të vdekjeve.
Kreu i opozitës, Lulzim Basha ka deklaruar muaj më parë, që plani për rihapjen dhe daljen nga karantina duhet të sigurojë bërjen e të paktën 2 mijë testimeve në ditë.
Aktualisht, numri i testimeve është 400-500 në ditë, shumë larg nga kërkesa e opozitës për testimin, gjurmimin dhe kurimin në kohë të sëmundjes së rrezikshme.