Shtetet e Bashkuara i dolën në mbrotje të enjten protestuesve bjellorusë dhe thanë se mbështesin përpjekjet ndërkombëtare për shqyrtimin e zgjedhjeve të kundërshtuara kohët e fundit, të cilat i dhanë Presidentit Alexander Lukashenko mandatin e tij të gjashtë në detyrë.
Në deklaratë shprehej shqetësimii thellë “mbi të metat serioze të zgjedhjeve presidenciale të 9 gushtit” në Bjellorusi, duke thënë se ato nuk i përmbushën standardet për të qenë “të lira dhe të ndershme”.
Në deklaratën e Sekretarit amerikan të Shtetit, Mike Pompeo dënohej “me forcë dhuna e ushtruar ndaj protestuesve paqësore e gazetarëve, arrestimi i kandidatëve të opozitës dhe protestuesve paqësorë apo abuzimi me të ndaluarit”.
Në deklaratë vlerësohet gjithashtu qasja paqësore e popullit bjellorus për të përcaktuar të ardhmen e vet.
“Ne i qëndrojmë përkushtimit tonë afatgjatë për të mbështetur sovranitetin dhe integritetin territorial të Bjellorusisë si dhe aspiratat e popullit te tij për të zgjedhur udhëheqësit dhe rrugën e tyre të lirë nga ndërhyrjet e jashtme”, thuhet në deklaratën e DASH.
Uashingtoni bëri thirrje për lirimin e menjëhershëm të atyre që janë arrestuar padrejtësisht dhe llogaridhënie për ata që raportohen të zhdukur.
Zoti Pompeo tha se SHBA qëndron pas hetimeve ndërkombëtare mbi zgjedhjet dhe pasojat e saj. “Ne mbështesim përpjekjet ndërkombëtare për të shqyrtuar në mënyrë të pavarur parregullsitë elektorale të Bjellorusisë, abuzimin me të drejtat e njeriut rreth zgjedhjeve dhe përpjekjet që pasuan për t’i goditur ato“, tha ai.
Opozita bjelloruse ka thënë se zgjedhjet ishin manipuluar me qëllimin për të garantuar qëndrimin në pushtet të Aleksandër Lukashenkos.
Të mërkurën Bashkimi Evropian njoftoi se nuk e njeh rezultatin e zgjedhjeve të 9 gushtit në Bjellorusi, proces që kritikët e Presidentit Aleksandër Lukashenko thonë se ishte i manipuluar për të zgjatur 26 vitet në pushtet të tij. BE-ja tha gjithashtu se do të vazhdojë me planet për t’i vendosur sanksione Bjellorusisë.
Presidenti rus Vladimir Putin, i cili i ka ofruar ndihmë ushtarake zotit Lukashenko, paralajmëroi të martën Kancelaren gjermane Angela Merkel dhe Presidentin Francez Emmanuel Macron të mos ndërhyjnë në punët e Bjellorusisë.
Zyrtarët që administruan procesin zgjedhor në Bjellorusi thanë se zoti Lukashenko u rizgjodh për një mandat të gjashtë me 80 per qind të votave ndërsa kandidatja e vetme serioze e opozitës, Sviatlana Tsikhanouskaya fitoi rreth 10 për qind të tyre. Por kjo e fundit thotë se zgjedhjet u manipuluan.
Zonja Tsikhanouskaya hyri vonë në garë, pas arrestimit të bashkëshortit të saj, një bloger dhe kandidati i mundshëm i opozitës, Siarhei Tsikhanouski.
Aleksandër Lukashenko e mori pushtetin në Bjellorusi në 1991 pasi vendi shpalli pavarësinë nga Bashkimi Sovjetik. Ai njihet në Perëndim si “diktatori i fundit i Evropës” për shkak të shtypjes së të drejtave të njeriut, mbytjes së fjalës së lirë, dyshimeve për manipulime në zgjedhje si dhe tolerancë të zbehtë ndaj opozitën. Por mbështetësit e tij thonë se ai e ka mbajtur Bjellorusinë larg luftës dhe se i ka siguruar punë popullatës. Zoti Lukashenko ka kërkuar ta fshijë imazhin e tij prej diktatori në Perëndim, duke u përpjekur për lidhje më të mira me Shtetet e Bashkuara.
Ndërkohë ditët e fundit punëtorët në Bjellorusi janë hedhur në grevë si pjesë e një fushate për të larguar nga pushteti presidentin autoritar. Trazirat filluan të përshkallëzohen pasi zoti Lukashenko hodhi poshtë kërkesat për të dhënë dorëheqjen dhe pas një sulmi të ashpër të policisë ndaj protestuesve paqësorë.