Evropa njoftoi se do të vendosë sanksione ndaj zyrtarëve bjellorusë të përfshirë në manipulimin e zgjedhjeve dhe në dhunën kundër protestuesve, pas procesit zgjedhor të 9 gushtit që opozita thotë se u manipulua. Udhëheqësi aktual i Bjellorusisë Alexander Lukashenko deklaroi fitoren me 80 për qind të votave. Opsionet e Evropës mund të jenë të kufizuara nga droja e futjes në përplasje të mëtejshme me Rusinë.
Kërcënimi për dhunë të mëtejshme vazhdon të mbizotërojë në Bjellorusi. Alexander Lukashenko ka urdhëruar organet e sigurisë që të shuajnë protestat e vazhdueshme të opozitës, të cilat po zgjerohen në mbarë vendin që nga zgjedhjet presidenciale të 9-të gushtit. Evropa ofroi reagimin e parë të saj të mërkurën.
“Mbështesim fuqishëm të drejtën e popullit bjellorus për të përcaktuar fatin e tij. BE do të vendosë sanksione së shpejti ndaj një numri të konsiderueshëm personash përgjegjës për dhunën, shtypjen dhe manipulimin e zgjedhjeve”, tha Charles Michel President i Këshillit Evropian.
Por në realitet, thotë analisti Mark Galeotti, Evropa i ka mundësitë e kufizuara.
“Pikërisht sepse donim të inkurajonim ‘sjelljen lozonjare’ të Lukashenkos me ne dhe rrjedhimisht sfidimin nga ana e tij të Putinit dhe Moskës. Ne ishim të përgatitur në një masë të konsiderueshme për të bërë një sy të verbër ndaj faktit se kemi patur këtë diktaturë brutale e të shëmtuar brenda Evropës. Kjo na lë tani me mundësi të pakta veprimi”.
Në mendjet e evropianëve qëndron droja e përsëritjes së ngjarjeve të vitit 2014, kur Rusia pushtoi Ukrainën pas rrëzimit të Presidentit Viktor Yanukovych.
“Ekziston një dilemë se si të veprohet pa rrezikuar një përplasje të re të stilit të Ukrainës me Rusinë”, thotë analisti Jonathan Eyal i Institutit të Shërbimeve të Bashkuara Mbretërore.
Kështu që Evropa duhet të tregohet e kujdesshme thotë analisti Galeotti.
“Rasti më i keq do të ishte sikur ata ta bënin të dukej sikur BE-ja po përpiqej disi të tërheqë Bjellorusinë drejt kampit të saj. Kjo do të shkaktonte një përgjigje të pabarabartë nga Moska. Për momentin Bashkimi Evropian po vepron drejt duke iu përmbajtur gjesteve simbolike”.
Udhëheqësja kryesore e opozitës në Bjellorusi Sviatlana Tsikhanouskaya u largua në Lituani pas zgjedhjeve. Ajo i ka kërkuar Evropës që të ofrojë mbështetje politike.
“Kur të formohet qeveria e re, pasi le ta pranojmë, Lukashenko mund të mos rrëzohet këtë javë apo këtë muaj, por ai do të rrezohet. Fundi i regjimit të tij tashmë është i pashmangshëm. Evropa duhet të jetë e gatshme të sigurojë çfarëdo ndihme që mundet kur kjo të ndodhë”, thotë analisti Mark Galeotti.
Analistët thonë se nëse qeveria do të vazhdojë të shtypë me dhunë protestat në Bjellorusi ka të ngjarë të nxisë edhe më shumë thirrjet e opozitës për një reagim më të fuqishëm nga Perëndimi./VoA/