Një ditë para votimit për anëtarësimin e Kosovës në UNESCO, në hollin e Kuvendit të Kosovës janë ekspozuar kopjet e disa artefakteve, origjinalet e të cilave janë grabitur nga Serbia gjatë luftës së vitit 1999 dhe ende nuk janë kthyer.
Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, i shoqëruar nga drejtori i Muzeut të Kosovës, Skënder Boshtrakaj, u shprehën optimistë se, të hënën në Paris, Kosova do të marrë mbështetjen e nevojshme për anëtarësimin në UNESCO.
Kryeparlamenytari kosovar tha se, menjëherë pas anëtarësimit do të kërkojnë kthimin e artefakteve, që i janë grabitur Kosovës nga Serbia.
“Duhet të kini parasysh se, shumica e ekspozimeve që janë këtu, më vjen rëndë ta them por origjinalet e tyre gjenden ende në Beograd. Ne presim anëtarësimin në UNESCO dhe, më pas ata janë të detyruar që t’ia kthejnë Kosovës atë që i takon këtij vendi”, tha Kadri Veseli, kryetar i Kuvendit të Kosovës.
“Në këtë ditë të rëndësishme për vendin po fillojmë një program të ri bashkëpunimi me Kuvendin e Kosovës. Kjo ekspozitë gjithsesi është e përkohshme, por ndërveprimi institucional do të jetë i përhershëm, pas ditës së sotme. Muzeu i Kosovës do të jetë vazhdimisht me programet e saj në Kuvend dhe, përmes Kuvendit, edhe në institucione të tjera të Kosovës”, tha Skënder Boshtrakaj, drejtor i Muzeut të Kosovës.
Veseli u informua nga zyrtarët e Muzeut të Kosovës për disa prej ekspozimeve, duke përfshirë edhe Kokën e Erosit të periudhës antike, e zbuluar në qytetin antik të Ulpianës afër Prishtinës, ndërkohë që një kopje të tillë kërkoi ta ketë të ekspozuar edhe në kabinetin e tij.
Kryeparlamentari kosovar tha se, menjëherë pas konfirmimit të anëtarësimit në UNESCO do të thërrasë një seancë solemne, ndërsa kërkoi nga muzeu, që artefaktet të qëndrojnë për disa ditë në ambientet e Kuvendit, i cili – sipas tij – kohëve të fundit ka pasur një imazh të dëmtuar nga deputetët.