Lufta II, dëshmia e rrallë: Nazistët infiltruan dy ushtarë specialë për të vrarë Enver Hoxhën

Nga Nevila Dervishi /

E rrëfyer nga disa protagonistë e dëshmitarë, që të gjithë në të njëjtin version, tashmë të interesuarit e njohin një histori të vjetër të kohës së Luftës së Dytë Botërore sipas së cilës Enver Hoxha i ka shpëtuar në fije të perit vrasjes nga një oficer gjerman që ishte sjellë pranë Shtabit të Ushtrisë Antifashiste si rob.

Oficeri, pasi kishte mposhtur një nga rojet, i kishte rrëmbyer automatikun duke u drejtuar nga dhoma ku flinte Enver Hoxha, por në momentet e fundit ishte neutralizuar.

Sigurisht që kjo është vetëm njëra anë e medaljes. Ana tjetër e saj, pjesa se çfarë detyre kishte oficeri gjerman dhe cilat ishin urdhrat e eprorëve ndaj tij, vështirë të mësohej.

Por, në kujtimet e veta, Kadri Cakrani, ish-komandant i Ballit Kombëtar në zonën e Beratit, përshkruan një episod interesant që ka shumë gjasa të lidhet me këto rrëfime të rojeve të Enver Hoxhës.

Sipas Kadri Cakranit, në tentativat për të asgjësuar Shtabin Komunist dhe sidomos Enver Hoxhën, krerët e ushtrisë gjermane në Shqipëri kishte përdorur edhe një mundësi të fundit: kishin veshur si fshatarë dhe infiltruar në prapavijat e ushtrisë partizane dy komando të stërvitura, të cilët e flisnin mirë shqipen, pasi kishim qenë studentë të albanologjisë…

Kadri Cakrani

Më poshtë pjesa ku përshkruhet kjo ngjarje. Materiali, i shkëputur nga libri me kujtime ende i pabotuar i Kadri Cakranit, është lënë në gjuhën e origjinalit.

“Gjermanët nuk do bënin hesap se ishte Shtabi me misjonet Engleze aty. Si nuk i asgjesuan dot vetë, me Xhandërmarinë, ata provuan edhe një mënyrë tjetër që e kishin reservë. Kishin prurë nga Gjermanija një Bataljon Special, që nuk ishin gjë tjetër vetëm disa djem shkollash e akademish, që mësonin Gjuhën Shqipe. Këtë në tre dialekte, Gegërishten Toskërishten dhe atë Korçare, si dhe dhe tërë historinë dhe kulturën t’onë, me emrin Albanollogi.

Pregatitën nja 10 dhe nga ata nxorrën pesë. Në fund zgjodhën dy që e flisnin më mirë dhe që të merrnin në sy rrezikun. I veshën si fshatarë me mushkë e plaçka dhe i nisën në një rrugë të pa njohur dhe më të rrezikshmen. Ata kishin ikur dhe duke bërë me fshatarë muhabet, e kishin gjetur ku ishte Shtabi, që ruhej dhe rrethohej nga tre breza.

I pari në pikat dominonjëse të fshatit, i dyti rreth shtëpive që strehohej Shtabi, dhe i treti nga partizanët që e ruanin tek dera Shtabin Komunist, Shqipëtarë, Sërbë dhe Engles! Kishin parë të gjithë pikat rreth fshatit që të bënin asgjesim me sniper, por Enver Hoxha me Englezët nuk dilte nga shtëpitë.

I fshehen pushkët dhe të dy djemtë Albanollogë, të pregatitur i kaluan të dy brezat më të rrezikshëm, por mbetën tek brezi i tretë, tek dyert e Shtabit. Atje ose do të kenë nxjerrë armët për të asgjesuar Shtabin, ose kanë ngatërruar ndonjë fjalë shqip, apo shtëpinë në momente tensjoni.

Ishte dhe një gjë tjetër, se rojat e brezit të parë i kanë parë dhe gjetur sniperat, duke lajmëruar shpejt, pasi kjo u mbajt sekret. Ata janë qëlluar me partizanët që ruanin Shtabin me ndonjë pistoletë, që mundën t’a fshihnin deri aty, flakë për flakë, deri sa u vranë të dy.

Me siguri duhet të kenë vrarë dhe nga partizanët që ruanin Shtabin Komunist.”/abcnews.al

Leave a Reply