Zëvendës Sekretari amerikan i Shtetit Stephen Biegun tha të hënën se Uashingtoni nuk shikon shenja të ndonjë plani rus për ndërhyrje ushtarake në Bjellorusi, dhe i bëri thirrje Minskut të lirojë të gjithë të burgosurit politikë.
“Sigurisht që do të ishte tepër e padëshirueshme, por ne nuk kemi ndonjë tregues përtej disa komenteve publike që kemi dëgjuar,” tha numri dy i diplomacisë amerikane në kryeqytetin e Lituanisë Vilnius, pas një takimi me udhëheqësen e opozitës bjelloruse, Sviatlana Tskikhanouskaya.
I dërguari amerikan tha se Uashingtoni është thellësisht i shqetësuar nga ato që ai i quajti mangësi serioze në zgjedhjet presidenciale të 9 gushtit në Bjellorusi, aleate e ngushtë e Rusisë, si dhe nga sulmet e policisë dhe nga shkeljet e të drejtave të njeriut që pasuan.
Vizita e zotit Biegun në Lituani, e cila ka kufij të përbashkët me Bjellorusinë, sinjalizon një rol më të madh amerikan në përpjekjet për të zgjidhur krizën që filloi kur Presidenti bjellorus Aleksandër Lukashenko goditi protestuesit paqësorë, të cilët hodhën poshtë pretendimin e tij se i kishte fituar zgjedhjet me shumicë dërrmuese.
Zoti Biegun do të shkojë të martën në Moskë, ku do të zhvillojë bisedime me zyrtarë të lartë rusë për krizën në Bjellorusi, kontrollin e armëve dhe Korenë e Veriut, tha ambasadori amerikan në Rusi, John Sullivan.