Facebook thotë se ka fshirë 13 profile që do të përdoreshin nga Rusia. Rrjeti më i madh social tha se bëhet fjalë për një operacion të ndikimit rus dhe që ishin të lidhura me organizatën ruse IRA, që qëndron pranë qeverisë së Moskës dhe është akuzuar gjithashtu për ndërhyrje në zgjedhjet amerikane në vitin 2016.
Edhe rrjeti tjetër social, Twitter thotë se ka mbyllur 5 profile që ishin pjesë e të njëjtës fushatë të ndikimit rus. Ky zhvillim vjen 2 muaj para zgjedhjeve presidenciale amerikane ku garojnë Presidenti Donald Trump dhe demokrati Joe Biden.
Facebook dhe Twitter njoftuan se llogaritë që mbyllën ishin pjesë e faqes së internetit PeaceData, e cila pretendonte se ishte shoqatë jofitimprurëse e fokusuar në aktivitet mediatik në gjuhën angleze dhe arabe.
Dy rrjetet sociale bashëpunuan me FBI-në mbi aktivitetin e faqes PeaceData, e cila kishte një audiencë me prirje të majtë. Por, kjo faqe nuk kishte gjetur shtrirje të madhe. Faqja në gjuhën angleze kishte rreth 200 ndjekës. Llogaritë që u fshinë në Facebook përdornin emra dhe fotografi të rreme.