Për opozitën kosovare, vendimi për pezullimin e përkohshëm të marrëveshjes për Asociacionin nga Gjykata Kushtetuese shënon fillimin e gjunjëzimit të pushtetit.
Në një deklaratë për shtyp nga opozita e bashkuar; e përbërë nga Vetëvendosje, AAK dhe Nisma për Kosovën, thuhet:
“Sot, pas dy muajsh rezistence aktive të opozitës, pas mbi 205 mijë nënshkrimeve të qytetarëve, gjunjëzimi i pushtetit veç sa ka filluar. Presidentja i dërgoi në Gjykatën Kushtetuese marrëveshjet e 25 gushtit, ndërkohë që demarkacioni me Malin e Zi tashmë është shpallur ‘nul’ dhe, në formën aktuale, nuk do të ratifikohet nga askush. Ne kemi 1.000 arsye që të mos i besojmë Gjykatës Kushtetuese, e cila nuk ka besueshmëri dhe është e kapur, por vetë fakti që Presidentja u detyrua t’i dërgojë marrëveshjet atje, është tërheqje e pushtetit karshi presionit qytetar dhe atij të opozitës”.
Megjithatë në deklaratë thuhet se, për opozitën është e qartë që kjo tërheqje ka për synim pamundësimin e fitores së opozitës në kauzën e saj për anulimin e plotë të këtyre marrëveshjeve, ndaj nuk do të ketë tërheqje.
“Nuk do të ketë funksionim normal të institucioneve shtetërore, pa u tërhequr marrëveshjet me Serbinë dhe me Malin e Zi për caktimin e kufijve”, përfundon deklarata, si reagim i vendimit të Gjykatës Kushtetuese.