Presidenti Nishani zhvilloi një ceremoni për nder të viktimave të Parisit gjatë pasdites së kësaj të diele në Presidencë, duke mbajtur edhe një minutë heshtje. Në këtë ceremoni u intonua edhe himni francez.
Presidenti ngushëlloi familjet e viktimave të Parisit, ndërsa konfirmoi qëndrimin e Shqipërisë në krah të aleatëve të saj në luftën kundër terrorizmit.
“Shpreh ngushëllimet për familjet e viktimave të akteve barbare të Parisit. Konfirmoi qëndrimin e palëkundur të Shqipërisë në aleancën për të përballuar betejën e madhe kundër terrorizmit dhunës dhe intolerancës. Shqipëria do të vazhdoi të qëndroi në krah të Francës dhe aleatëve në luftën kundër terrorizmit”, tha Presidenti Nishani.
Ndërsa ambasadori francez në Tiranë, Bernard Fitoussi, vlerësoi ceremoninë në nder të viktimave të Parisit, ndërsa tha se populli francez është në zi. “Mendimi jonë shkon sot për familjet e viktimave dhe të plagosurit e tragjedisë së Parisit”.
Në këtë ceremoni mori pjesë ambasadori francez Bernard Fitoussi, kryeparlamentari Ilir Meta, ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, kreu i opozitës, Lulzim Basha, kryetari Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe figura të tjera të rëndësishme.