Rasti i fundit kur një grup i tifozëve “Komiti” në lagjen Gjorçe Petrov të kryeqytetit të Maqedonisë së Veriut brohorisnin “dobar shqiptar, mrtov shqiptar” (shqiptar i mirë, shqiptar i vdekur), sipas ministrit të brendshëm Oliver Spasovski nuk duhet të tolerohet, përkundrazi duhet të sanksionohet.
Sipas tij mënyra më e mirë për parandalimin e këtyre dukurive është sanksionimi i autorëve të këtyre ngjarjeve, të cilat mund të ndikojnë në prishjen e marrëdhënieve ndëretnike në vend.
“Rastet e gjuhës së urrejtjes, pikërisht rasti i fundit, policia ishte efikase, bashkëpunuam me Prokurorinë Publike, janë identifikuar pjesëmarrësit në këtë ngjarje të pahijshme. Jemi të vendosur që këto raste të mos lejohen dhe të zbulohen sa më shpejtë, por duhet edhe efikasitet më i madh i Prokurorisë Publike që t’i procedojë këto raste, që në këtë mënyrë t’i ndëshkojmë ata që merren me këtë. Përmes gjuhës së urrejtjes mund të vijmë deri te përkeqësimi i marrëdhënieve ndëretnike në shtet”, tha Oliver Spasovski, ministër i brendshëm në qeverinë e Republikës së Maqedonisë së Veriut.