Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, dhe Nisma Socialdemokrate reaguan të premten, pas arrestimeve dhe bastisjeve të bëra në zyrat e Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në Prishtinë.
“Nuk ka arsye për operacione e bastisje”, tha Haradinaj në një postim në Facebook.
“Tentimi për të krijuar imazhin se Kosova është e mobilizuar ta pengojë drejtësinë, është i gabuar. Ne nuk kemi qenë e as nuk jemi në anën e kundërt të drejtësisë. Apeloj tek organet e drejtësisë, vendore dhe ndërkombëtare, që t’i respektojnë të drejtat e të gjithëve. Asnjë i akuzuar nuk do t’i ikë drejtësisë”, shkroi Haradinaj.
Nisma Socialdemokrate, në anën tjetër, shprehu, siç tha, mospajtimin e saj për mënyrën e trajtimit të udhëheqësve të OVL-së së UÇK-së.
“Që nga përfundimi i luftës, pjesëtarët e UÇK-së u janë përgjigjur sistemeve të drejtësisë pa asnjë hezitim, duke filluar nga gjykatat e UNMIK-ut [Misionit të Përkohshëm të Kombeve të Bashkuara në Kosovë], Hagës dhe ato të EULEX-it [Misionit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë]. Prandaj, askush nuk ka asnjë arsye të ndryshojë mënyrën e sjelljes në raport me pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, thuhet në komunikatën për media të këtij subjeki politik.
Të premten, pjesëtarë të EULEX-it bastisën zyrat e OVL-së dhe arrestuan kryetarin e organizatës, Hysni Gucati.
Disa orë më vonë, edhe nënkryetari i organizatës, Nasim Haradinaj, u shoqërua nga zyrtarë të Zyrës së Prokurorisë së Specializuar, bashkë me Policinë e Kosovës.
Ende nuk dihen arsyet e shoqërimit të Haradinajt, e as të arrestimit të Gucatit./REL/