Në pranverë Brukseli ngriti alarmin: “Në kohën e krizës së Coronës, Europa është përmbytur nga fushata dezinformuese“, thotë zëvendëspresidentja e Komisionit Europian, Vera Jourova. Këto fushata nuk janë të rrezikshme vetëm për arsye shëndetësore, ato synojnë hapur gërryerjen e besimit tek qeveritë dhe mediat.
Si shembull KE merr rritjen e menjëhershme të numrit të kundërshtarëve të vaksinës në Gjermani. Në më pak se dy muaj, sipas një studimi, gatishmëria për vaksinim në Gjermani ra me 20%. Pretendimi tjetër i përhapur në mediat sociale, se pirja e lëndëve zbardhuese ndihmon kundër Coronës shihet po ashtu si një përpjekje për çorientim. “Dezinformimi në kohët e pandemisë së Coronës mund të vrasë“, thotë i ngarkuari i BE për politikën e jashtme, Joseph Borrell.
Sidomos teoritë konspirative gëlojnë në internet. Njëra prej tyre thotë, se luftimi i virusit dikur do të përdoret si pretekst për vaksinimin masiv të popullsisë apo që themeluesi i Microsoftit, Bill Gates bashkë me BE duan të përgjojnë njerëzit.
Propagandë dhe sulme kibernetike
Pikërisht për të luftuar këto fushatë, Parlamenti Europian ka krijuar një komision të posaçëm që fillon tani nga puna. E në fokus të komisionit nuk do të jetë vetëm Corona. Pas fushatave, BE shikon përpjekje sidomos të Kinës apo Rusisë për të rrënuar demokracitë në BE dhe me këtë të dobësojë Bashkimin Eurooian dhe rolin e tij në botë.
Ky komision do të identifikojë në fillim hapësirat, se ku përhapen informacionet e rreme. Njëra prej tyre duket se qëndron në përpjekjet për ndikimin në zgjedhje. Pak para zgjedhjeve europiane, deputetë të Parlamentit Europian janë ankuar për propagandë masive nga Rusia. Deputetët kanë raportuar jo vetëm për dezinformim, por edhe për sulme kibernetike apo në infrastrukturën zgjedhore. Dhe aktorë të caktuar politikë që janë të afërt me porositësit në vende të treta i mbështesin ata direkt ose jo direkt. Kështu ka dyshime se populistja e djathtë dhe ish-europarlamentarja, Marine Le Pen ka marrë fonde nga Kremlini. Le Pen i ka kritikuar gjithmonë sanksionet kundër Rusisë.
Platformat e mëdha luajnë rol kryesor
Partnerët kryesorë të BE në këtë luftë janë platformat e mëdha online si Facebook, Twitter dhe Google. BE kërkon t’i detyrojë ata ta veprojnë më ashpër kundër informacionit të gabuar dhe të ofrojnë të dhëna tek studiuesit. “Nuk ka një bashkëpunim strukturor mes platformave dhe bashkësisë studimore”, bëri të ditur KE para pak ditësh. “Platformat duhet të bëhen më të përgjegjshme, më transparente, e t’u kërkohet më shumë llogari”, thotë zëvendëspresidentja e KE, Jourova. Komisionit nuk i mjaftojnë masat e marra nga vetë gjigandët e mediave sociale. Së shpejti do të publikohen propozimet e reja.
Që në qershor, kur u krijua komisioni i posaçëm, KE ka kërkuar nga platformat online që të bashkëpunojnë ngushtë me verifikuesit e fakteve dhe të ofrojnë raportim mujor për punën e tyre në luftë kundër informacioneve të falsifikuara. Rezultate pozitive vihen re që tani, sipas Brukselit. Burimet e besueshme bëhen më prezente, lajmet çorientuese hiqen. Facebook dhe Instagram i janë referuar autoriteteve shëndetësore si Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe kanë hequr reklamat e produkteve mjekësore të fallsifikuara apo shumë të shtrenjta.
Ku fillon censura?
Federata Europiane e Gazetarëve, Këshilli Europian i Botuesve dhe Shoqata e TV-privatë në Europë mendojnë, se këto masa nuk mjaftojnë. Europa i beson më shumë se duhet vullnetit të mirë të aktorëve të rëndësishëm online, shkruajnë këto organizata në një deklaratë të përbashkët në korrik dhe kërkuan sanksione “të efektshmme”, nëse koncernet nuk i përmbajne kodit të mirësjelles.
Ka edhe një vështirësi tjetër: Verifikuesit e fakteve veprojnë në një territor të pasigurtë. Shpesh nuk është e lehtë të përcaktosh fake news e t’i dallosh ato nga shprehja e një mendimi ndoshta ekstremist. Kritikët i tremben ndërhyrjeve në lirinë e mendimit. “Nuk dua të krijoj ministrinë e së vërtetës“, tha Vera Jourova para komisionit. Edhe komisioni i posaçëm i parlamentit duhet të përballet rregullisht me këtë problem në luftën kundër fake news./DW