Ministri i Jashtëm Ditmir Bushati ka pritur këtë të mërkurë në një takim homologun britanik, Philip Hammond, të cilit i ka konfirmuar vijimin e mbështetjes së Shqipërisë në luftën kundër terrorizmit.
Kjo çështje ka qenë edhe në qendër të konferencës së përbashkët për shtyp të dy ministrave, të cilët kanë prekur edhe një sërë çështjesh të tjera.
“Shqipëria do të jetë përkrah vendeve aleate të NATO-s në luftën kundër terrorizmit. Ajo është pjesë e koalicionit ndërkombëtar dhe ka një bashkëpunim të shkëlqyer në NATO”, ka deklaruar Bushati.
Në të njëjtat linja, shefi idiplomacisë britanike ka falenderuar Shqipërinë për këtë mbështetje.
“Të intensifikojmë luftën kundër terrorizmit dhe të ecim përpara së bashku. Britania i shpreh falenderimet e saj Shqipërisë”, ka thënë Hammond.
Ndër të tjera, sipas ministrit Bushati, në takimin kokë më kokë është folur edhe sa i takon “bashkëpunimit të shkëlqyer” për sigurinë dhe të drejtën, si dhe për sigurinë në Ballkan dhe “rolit stabilizues” të NATO-s.
Ndërsa Hammond ka shprehur mbështetjen e vendit të tij për të ardhmen evropiane të Shqipërisë dhe ka përshëndetur ecurinë e deritanishme me reformat.
Vëmendja e shtetit shqiptar, ka theksuar ai, duhet të fokusohet tek lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
“Mbështesim fuqishëm anëtarësimin e Shqipërisë në BE dhe mirëpresim ecurinë me reformat. Krimi i organizuar dhe korrupsioni pengojnë zhvillimin ekonomik të vendit, ndaj këto dy probleme duhen zgjidhur”, ka thënë Hammond.
Ai ka nënvizuar se, “Mbretëria e Bashkuar ka një interes të rëndësishëm për të ardhmen e Ballkanit perëndimor”.
Sa i takon krimit të organizuar, Hammond ka falenderuar palën shqiptare për bashkëpunimin në luftimin e tij, në veçanti ndaj trafikut të drogës, duke shprehur shpresën për vijimin në të njëjtin kurs.
Zhvillimi ekonomik dhe krijimi i një klime pozitive për biznesin e huaj ka qenë një tjetër rekomandim i shefit të diplomacisë britanike.