Pas orëve të tëra të tmerrit mësohet se forcat e speciale kanë arritur të lirojnë pengjet që mbaheshin në hotelin “Radisson Blu” në kryeqytetin e Malit.
Hoteli u sulmua mëngjesin e së premtes nga persona të armatosur, të cilët arritën të marrin peng gati 170 persona. Zyrtarët vendas kanë bërë të ditur se 3 persona kanë mbetur të vrarë, ndërsa dy ushtarë janë plagosur gjatë mësymjes.
Policia e rrethoi me urgjencë ndërtesën, ku agresorët kanë hyrë duke thirrur “Allahu Akbar”, “Zoti është i madh!”, ndërsa pas disa orësh ata kanë marrë vendimin të ndërhyrë.
12 prej pengjeve mësohet të kenë qenë punonjës të “Air France”. Mes pengjeve ka pasur edhe shtetas turq, indianë e të paktën 10 kinezë.
“Radissoni” me pronarë amerikanë është një hotel i përdorur përgjithësisht nga të huaj që punojnë në Mali. Në muajin gusht, një i dyshuar si islamik hapi zjarr e vrau 13 vetë, 5 nga të cilët punonjës të Kombeve të Bashkuara gjatë një episodi të ngjashëm në një hotel të qytetit Sevare.
Franca, ish fuqi kolonizatore e këtij vendi, ndërhyri atje ushtarakisht janarin e 2013-s, kur militantë të lidhur me Al Kaedën kërcënuan të marshonin drejt Bamakos, pasi kishin marrë nën kontroll pothuajse të gjithë rajonet veriore.