Në 107 vjetorin e Kongresit të Manastirit Lëvizja Vetëvendosje kërkon nga Bashkimi Europian ta përfshijë si kusht në negocimin e për anëtarësim të Serbisë çështjen e zgjidhjes së të drejtave të shqiptarëve të Luginës së Preshevës.
Në një komunikatë për media, Vetëvendosje kujton faktin se nxënësit shqiptarë të Luginës së Preshevës nuk kanë mundësi të shkollohen me tekste në gjuhën shqipe, pasi Serbia i ka bllokuar mbi 100 tekste mësimore të republikës së Kosovës.
“Përderisa Serbia angazhohet për krijimin e “Zajednicës” në Kosovë me bekimin e Isa Mustafës dhe Hashim Thaçit, ajo vazhdon të mbajë të bllokuar që nga 10 shtatori të këtij viti donacionin me tekste mësimore të Republikës së Kosovës, duke diskriminuar nxënësit shqiptarë të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës, të cilët zhvillojnë procesin edukativo-arsimor pa tekste adekuate mësimore”, thuhet në komunikatën e këtij subjekti politik.
Vetëvendosje fton qeverinë e Shqipërisë që çështjen e të drejtave të shqiptarëve të Luginës së Preshevës ta përcaktojë si prioritet të saj sa i takon mekanizmave si Këshilli i Evropës dhe atyre të Kombeve të Bashkuara e veçanërisht si çështje kyçe kur merren në konsideratë marrëdhëniet midis dy vendeve.