Raporti i Progresit i publikuar për Kosovën dhe tërheqja e Ambasadës amerikane në Kosovë, nga monitorimi i zgjedhjes së prokurorëve të Prokurorive Themelore, po cilësohen nga përfaqësues të shoqërisë civile si goditjet e fundit që ka marrë Kosova sa i përket liberalizimit të vizave për këtë vit.
Ata kanë thënë se veprimi i Ambasadës amerikane është një lajm i keq dhe shpërfaqë atë që e kanë thënë vazhdimisht për një sistem të drejtësisë të kapur në Kosovë.
Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, ka thënë se reagimi i ambasadës amerikane por edhe i BE-së, ka qenë kthesa e fundit kur ata nuk janë pajtuar me mënyrën se si Këshilli Porkurorial i Kosovës po udhëheq procesin e zgjedhjes së prokurorëve.
Ai ka thënë KPK-ja udhëhiqet nga njerëz jo kredibil
“Si institut i Kosovës për Drejtësi e kemi thënë dhe vazhdojmë ta themi se KPK që sot udhëhiqet nga njerëz që s’kanë kredibilitet e më të kaluar të dyshimtë e të cilit janë përgjegjësit kryesorë që në Kosovë në pesë vitet e fundit kanë shënuar regres në luftën e krimit të organizuar, korrupsionit dhe llogaridhënës.
“Goditja kryesore ka qenë Raporti i Progresit. Nëse lexohet me kujdes e ka shpërfaqur edhe njëherë atë që ne kemi thënë vazhdimisht se ka mungesë të theksuar në luftën e krimit, korrupsionit, sistem të politizuar dhe atë se Kosova nuk ka marrë hapa për të përmbushur obligimet që dalin në MSA. Dhe e fundit ishte kjo tërheqja e Ambasadës amerikane, e cila në një farë mënyre ja dha vulën se diçka duhet të ndodh e madhe në mënyrë që përfaqësuesit e sistemit të drejtësisë t’i kthehen normalitetit, legjitimitetit. Nëse kjo nuk ndodh atëherë do të jetë edhe një vit i humbur, fatkeqësisht viti 2020 është vit i humbur për Kosovën, sepse nuk jemi as në agjendë për liberalizim të vizave”, ka thënë Miftaraj për Ekonomia Online.
Ai vlerëson se nëse nuk ndërrohet qasja edhe vitet 2021 -22 do të jetë të humbur, pa viza pa integrim në BE, me mirëqenie të ulët dhe shpresa e vetme për të rinjtë për një jetë më të mirë do të jetë jashtë kufijve të Kosovës.
Ndërsa Genc Nimoni nga organizata “ÇOHU”, ka thënë se tërheqja e ambasadës amerikane nga zgjedhja e prokurorëve është një lajm jo i mirë për sistemin e drejtësisë në Kosovë. Sipas tij, kjo tregon për gjendjen që është sistemi i drejtësisë në Kosovë.
“Reagimi i tyre dhe tërheqja është mesazhi më i mirë lidhur me pakënaqësitë e tyre në proceset në Porkurori dhe gjyqësor dhe gjithashtu është një alarm për gjendjen në të cilën ndodhet drejtësia në Kosovë, në veçanti sistemi prokurorial dhe ai gjyqësor”.
“Natyrisht që ky është një lajm i keq për sistemin e drejtësisë në Kosovë dhe një kohësishtë në reagimin e tyre ata bëjnë thirrje për përfundimin sa më të shpejtë të reformës në drejtësi.
Ky reagim i ambasadës amerikane alarmon për gjendjen e rëndë në të cilën ndodhet gjyqësori në Kosovë”, ka thënë Nimoni.
Lidhur më tërheqjen e ambasadës amerikane kishte reaguar edhe Këshilli Prokurorial i Kosovës, duke u zotuar se zgjedhja e prokurorëve do të bëhet në bazë të ligjit.
Por, Nimoni nuk beson që një gjë e tillë do të ndodhë.
Ishte absurde dhe nuk kam besim se ky proces do të jetë i mirë kredibil dhe gjithashtu i bazuar në kriteret më të mira të rekrutimit të prokurorive përkatëse. Ambasada amerikane vërtetoi atë që ne si shoqëri civile për një kohë të gjatë e avokojmë. Edhe Raporti i Progresit e thotë qartë që sistemi i drejtësisë në Kosovë, ka raste që është i ndikuar politikisht.
Për tërheqejne e ambasadës amerikane nga procesi i monitorimit të zgjedhjes së prokurorëve kishin reaguar edhe zyrtarët të lartë të shtetit.