Një ditë pas incidentit me rrëzimin e avionit rus, Moska dhe Ankaraja nuk lëkunden nga qëndrimet që mbajtën për ngjarjen, ndërsa tensionet mes dy vendeve janë shtuar. Deklaratat e Kremlinit i përforcoi edhe piloti që mbijetoi.
Kostandin Murahtin dha intervistën e tij të parë për radion “Europe One”. Ai tha se gjithçka ishte nën kontroll gjatë fluturimit deri në momentin e shpërthimit.
“Nuk ka pasur paralajmërime. As nëpërmjet radios, as vizuale. Nuk patëm asnjë kontakt apo çfarëdo. Kjo është arsyeja pse ne po mbanim kursin tonë luftarak si zakonisht. Ju duhet të kuptoni se çfarë shpejtësie ka një bombardues krahasuar me një F-16. Në qoftë se ata donin të na paralajmëronin, ata mund të kishin fluturuar me ne në një kurs paralel. Por nuk kishte asgjë. Dhe raketa goditi bishtin tonë krejtësisht papritur. Ne madje nuk e patëm as kohë për te marrë manovrat e duhura”, tha Murahtin.
Por, autoritetet e Ankarasë publikuan një audio, ku sipas tyre avioni rus që u rrëzua është paralajmëruar që të largohej nga hapësira turke.
“Është Forca Ajrore turke që ju flet. Po i afroheni hapësirës ajrore turke. Ndryshoni drejtimin që keni menjëherë. Është Forca Ajrore turke që ju flet. Po i afroheni hapësirës ajrore turke. Ndryshoni drejtimin që keni menjëherë”, dëgjohej në regjistrimet e radios.
Presidenti Putin vendosi t’i japë titullin më të lartë ushtarak të vendit “Hero” pilotit që humbi jetën. Ndërkaq rebelët sirianë thanë se situata të mërkurën ka qenë e tensionuar në fshatin verior Latakia, aty ku u rrëzua edhe avioni.
Një zëdhënës i brigadës së rebelëve tha se rusët po marrin hak duke siguruar avancimin e forcave siriane tokësore dhe aleatëve te tyre të Hezbollahut.
Ndërkaq, situata paraqitet më e tensionuar në Moskë se sa në Ankara. Protestues rusë sulmuan ambasadën turke në kryeqytet me vezë dhe thyen dritaret e saj. Qindra njerëz u mblodhën duke tundur pankarta me sloganet “Nuk do t’ia falim Turqisë” apo “Turqia është ISIS”.
Një ditë më parë, Vladimir Putin paralajmëroi për “pasoja serioze”, ndërsa pas incidentit drejtori i përgjithshëm i shtabit të Forcave të Armatosura ruse, bëri të njohura rregullat e reja për ato që i konsideroi si provokim nga ana e Turqisë.
1. Veprimet sulmuese të aviacionit do të kryhen nen mbrojtjen e aeroplanëve gjuajtës.
2. Kryqëzori “Moskva”, i pajisur me sistemin e mbrojtjes antiajrore “Fort” analog i S-300, do të vendoset në zonën bregdetare të Llatakut.
3. Objektivat që paraqesin rrezik potencial do të shfarosen.
4. Kontaktet me Turqinë në linjë ushtarake do të ndërpriten.
Presidenti Recep Tayyip Erdogan, të mërkurën përsëriti se avioni rus ishte në hapësirën ajrore turke kur u rrëzua dhe një pjesë e tij ra në Turqi duke plagosur dy persona. “Ankaraja nuk ka dëshirë të eskalojë incidentin pasi ne ishim vetëm duke mbrojtur sigurinë tonë dhe të drejtat e vëllezërve tanë”, deklaroi Erdogan.
Por, zyrtarët rusë e bënë të qartë se pavarësisht tensionit, reagimi do të matet. Deri më tani ata nuk kanë përmendur asnjë kundërpërgjigje ushtarake dhe asnjë sugjerim se marrëdhëniet diplomatike do të ndërpriten, ashtu sikurse nuk është folur për dëbimin e ambasadorit turk nga Moska.
Megjithatë, marrëdhëniet mes vendeve kanë ndryshuar në pak orë. Lavrov anuloi vizitën e tij në Stamboll të planifikuar për të mërkurën dhe këshilloi qytetarët rusë që të mos udhëtojnë drejt Turqisë për shkak të një kërcënimi terrorist.
Megjithatë, shefi i diplomacisë ruse tha se incidenti do të bëjë që Moska të rishqyrtojë marrëdhëniet e saj me Turqinë, por takimi me homologun e tij turk do te shtyhet në ditët e ardhshme.
Nga ana tjetër, Agjencia ruse Shtetërore e Turizmit tha se te gjitha paketat turistike drejt Turqisë, që ofrohen nga operatorët turistikë, janë anuluar. Kjo parashikon një goditje të fortë për ekonominë turke ku në një vit rreth 4 milionë rusë pushojnë atje.