Rusia ka kërcënuar me sanksione ekonomike kundër Turqisë këtë të enjte, teksa ende i kanë lënë hapësirë një shpjegimi të arsyeshëm për rrëzimin e avionit të saj luftarak pak ditë më parë, megjithatë Turqia i konsideron këto kërcënime si “emocionale” dhe “të papërshtatshme”.
Në atë që konsiderohet si ashpërsim i gjuhës së komunikimit, Presidenti Recep Tayyip Erdogan iu përgjigj akuzave të Rusisë, se Turqia po ble naftë dhe gaz natyror nga Shteti Islamik në Siri, duke akuzuar Presidentin sirian Bashar al-Assad dhe mbështetësit e tij, përfshi këtu Moskën, se janë bërë burim real financimi për grupin xhihadist, por edhe në aspektin ushtarak.
Rrëzimi i avionit rus nga forcat ajrore të Turqisë,gjatë së martës, shënoi një prej përplasjeve më serioze mes një vendi anëtar të NATO-s dhe Rusisë, duke komplikuar më tej përpjekjet ndërkombëtare për të mposhtur militantët e Shtetit Islamik.
Udhëheqësit botërorë kanë nxitur të dyja palët të shmangin përshkallëzimin e mëtejshëm të situatës.
Kryeministri rus, Dmitry Medvedev urdhëroi këtë të enjte qeverinë e tij të hartojë masat hakmarrëse, që mund të përfshijnë edhe disa projekte të përbashkëta investimi, si dhe kufizime të importeve të produkteve ushqimore nga Turqia.
Ministri i Ekonomisë, Alexei Ulyukayev tha se Moska mund të vendosë kufizime të fluturimeve drejt dhe nga Turqia, të ndalë përgatitjet për t’iu bashkuar një zone të lirë të përbashkët tregtare, si dhe të anulojë projekte të profilit të lartë, përfshi këtu atë të gazsjellësit “TurkStream” dhe ndërtimin e një impianti bërthamor prej 20 miliardë dollarësh, që Rusia ka planifikuar ta kryejë në Turqi.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov tha se Rusia është ende në pritje të një përgjigjeje të arsyeshme nga Ankaraja, mbi shkakun e rrëzimit të avionit luftarak. Moska këmbëngul se nuk ishte larguar kurrë nga hapësira ajrore siriane për t’u futur në atë turke, por Ankaraja thotë se dy avionët kishin shkelur kufirin, pavarësisht paralajmërimeve të vazhdueshme.
Deri më tani duket se të prekura nga ky incident do të jenë edhe fluturimet ajrore. Kreu i agjencisë ruse të turizmit, “Rostourism”, tha se bashkëpunimi me Turqinë do të ndalej sigurisht. Të paktën dy prej operatorëve më të mëdhenj rusë kanë deklaruar deri më tani se do të ndalin shitjet e paketave turistike në Turqi, pasi zyrtarët rusë këshilluan pushuesit të mos udhëtonin drejt resorteve turke.