Ish-Presidenti shqiptar, Rexhep Mejdani, është zgjedhur anëtar i jashtëm i Akademisë maqedonase të Shkencës dhe Arteve.
Këtë vendim e ka miratuar Asambleja e këtij institucioni me votim unanim. Në ceremoninë e ndarjes së këtij titulli z. Mejdani ka mbajtur një ligjëratë profesionale në Akademinë maqedonase, e cila vite më parë i ofendoi rëndë shqiptarët, duke i quajtur njerëz mali.
“Është një kënaqësi për të gjithë aktivitetin shkencor, shoqëror, publicistik dhe botues të gjithë periudhës time nga shkollimi deri në ditën e sotme”, tha Rexhep Mejdani.
Lidhur me ofendimet e rënda ndaj shqiptarëve në Enciklopedinë kontroverse të botuar nga Akademia maqedonase vite më parë, ish-Presidenti shqiptar diskutuar me drejtuesit e këtij institucioni në një takim të realizuar para ndarjes së titullit. Ai, është i bindur se kjo qasje ndaj shqiptarëve do të ndryshojë dhe se një gjë e tillë do të dëshmohet shumë shpejt.
“Qëndrimi i Akademisë është krejt ndryshe dhe ju së shpejti do të shihni se kjo akademi do të botojë edhe një vepër të Kristo Frashërit. Që do të thotë se konceptimi është krejt tjetër dhe bota lëviz, bota nuk mbetet në një vend, bota duhet të emancipohet dhe në këtë emancipim të gjithë duhet të japim kontributin tonë përfshirë edhe mediat”, u shpreh ish-Presidenti i Shqipërisë.
Mejdani vlerëson se pozita e shqiptarëve në Maqedoni ka nevojë të avancohet akoma më tepër. Në këtë kuadër ai tha se popujt dhe vendet e Ballkanit duhet ta kuptojnë se vetëm përmes thellimit të bashkëpunimit mund të ecin përpara.