Dhomat e Specializuara konfirmuan aktakuzën për krime lufte
Kjo është konferenca e fundit e Hashim Thaçit si president vendit. Në këtë konferencë ai bëri të ditur se ka dhënë dorëheqje nga posti i Presidentit pasi i është konfirmuar aktakuza nga Gjykata Speciale.
“Ashtu siç kam premtuar, nuk do të lejoj në asnjë rrethanë që para gjyqit të dal si President i Republikës së Kosovës, prandaj për të mbrojtur integritetin e shtetit të Kosovës, unë sot jap dorëheqje nga pozita e presidentit.
Ka kërkuar që të mos ketë krizë institucionale.
“Të qëndrojmë të bashkuar të mos lejojmë të thellohemi me krizë kushtetuese apo institucionale. Të vemë interesat e shtetit mbi ato personale dhe partiake”.
Ka bërë thirrje për unitet e maturi.
“Drejtësia nuk bëhet në rrugë, por në ballafaqim të argumenteve. Kjo nuk është lamtumirë, por vetëm mirupafshim”.
Pas konferencës ai menjëherë është nisur në selinë e EULEX-it në Fushë Kosovë, ku një pjesë e objektit shfrytëzohet nga Gjykata Speciale. Aty më herët kanë hyrë edhe kreu i PDK-së, Kadri Veseli dhe shefi i grupit parlamentar të LVV-së, Rexhep Selimi.
Të dy paraprakisht kishin bërë të ditur se u është konfirmuar aktakuza nga Gjykata Speciale, ndërsa do të udhëtojnë për në Hagë. Edhe Veseli ka thënë se tërhiqet nga politika deri në përfundim të procesit gjyqësor.