Njohësi i çështjeve politike Aleksander Tortevski e cilëson si hipokrizi qëndrimin e kryeministrit Zoran Zaev mbi Qeverinë e zgjeruar. Sipas Tortevskit, fajtori pse kombi dhe shteti është në krizë është pikërisht Zaev dhe ai nuk mund të jetë pjesë e zgjidhjes së problemit.
Ai i cili është përgjegjës dhe për 4 vite duhej të ndryshonte shumë gjëra, t’i largojë kuadrot e korruptuar të cilët i pengojnë reformat deri tani nuk ka bërë asgjë. Tani përnjëherë del dhe kërkon Qeveri për shpëtim kombëtar. Nga kush do ta shpëtojë? Nga vetë ai? Nuk mundet ai që e solli shtetin në këtë gjendje të rëndë dhe kritike të jetë pjesë e zgjidhjes – tha Aleksander Tortevski, avokat.
Tortevski shton se as opozita nuk ka kuadro që do të kontribuonin në këtë drejtim. Sipas tij, derisa VMRO-DPMNE-ja nuk lirohet nga Gruevizmi nuk mund të përfshihet në procese reformuese.
VMRO-DPMNE-ja nuk është pastruar nga strukturat kriminale. Akoma funksionon në pallatin e bardhë për të cilin unë kategorikisht them se është bërë përmes krimit. Akoma kuadro të cilët çdo ditë dalin para gjykatave, janë funksionarë aktiv. Derisa VMRO-DPMNE-ja nuk distancohet nga trashëgimia materiale dhe ideologjike e Gruevskit nuk mund të llogaritet për parti reformuese – u shpreh Aleksander Tortevski, avokat.
Qëndrimi i kryeministrit Zaev për Qeveri të zgjeruar erdhi pak ditë pasi në Kuvend konfirmoi besimin e shumicës me 62 vota përmes mocionit të propozuar nga vetë ai.