Rama: Shenjë e degradimit të opozitës që do sherr
Një incident ka ndodhur në kremtimin e Ditës së Verës në Elbasan.
Sapo kryeministri Edi Rama hyri në bulevardin kryesor, një grup personash të cilët ishin mbledhur për të pritur kryetarin e Partisë Demokratike Lulzim Basha kanë thirrur “Rama ik”.
Kjo ka shkaktuar reagimin e mbështetësve të socialistëve duke krijuar një situatë të tensionuar.
I pyetur për këtë incident, Kryeministri Rama u shpreh se me Bashën nuk është armik dhe se nuk ka arsye përtej betejave dhe ballafaqimeve politike të ndodhë kështu.
Ndërsa në një koment në Twitter, Rama shkroi se kjo shfaqje vulgare është një tjetër shembull i degradimit të një opozite demode, e cila ka në krye një kukull në duart e Saliut dhe Ilirit, që duan sherr e përçarje, për të marrë peng Shqipërinë e drejtësinë!
“Keqardhje e madhe për PD-në e kthyer në vegël e dy hallexhinjve të drejtësisë! Tash 20 vjet që vij në ditën e verës në Elbasan, s’kisha parë një turmë ulëritëse me flamuj partie, si ai automobili zhurmues i filmit “Koncert në vitin 36”! Dukeshin si 100 kopje të Ilir Metës, ndërsa Luli kishte parkuar makinën në korsinë e bicikletave e ishte fshehur mes tyre!”, shkroi Rama.