“Rama e ka të pamundur të ndalë humbjen”
Në një bisedë të zhvilluar online me përfaqësues të trajnimit profesional dhe të organizatave të zejtarëve të Gjermanisë, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, zbuloi pjesë nga programi i tij. Ai tha se po planifikon një reformë të thellë në arsimin universitar me qëllim adoptimin e modelit gjerman të trajnimit dual, me qëllim frenimin e emigracionit masiv të rinisë.
“Qeveria jonë do të aplikojë taksën e sheshtë 9% për tatim fitim, do të aplikojë po kështu taksën e sigurimeve shoqërore në nivelin 18%, do të eliminojë një taksë që kjo qeveri ka vendosur mbi karburantet, e cila e bën karburantin në Shqipëri të tretin më të shtrenjtin në botë me Singaporin dhe Suedinë. Me këto 3 masa dhe disa masa të tjera fiskale, do bëjmë të mundur që Shqipëria nga ana fiskale, nga ana e taksave të jetë vendi me taksat më të ulëta në Ballkan”.
Më pas Basha udhëtoi drejt Kavajës ku qytetarëve u tha se Rama e di që në 25 Prill do të largohet.
“Ora e ndryshimit po afron, dita po vjen për ta larguar me votën e Kavajës dhe e shqiptarëve të bashkuar njeriun që për 8 vite me radhë e mbajti peng vendin, e shkatërroi ekonominë, e përzuri rininë. I ka hyrë frika në palcë, e ka kuptuar e paniku i humbjes e ka tmerruar si askënd më parë sepse ai më shumë dhe më mirë se ai asnjë se di se me 25 Prill Shqipëria fiton dhe Edi Rama humb”.
Basha u ndal në një takim me gra të Tiranës ku u zotua për mbështetje të kësaj shtrese dhe barazi në punësim.
“Kjo do të thotë që po kështu të sigurojmë që ajo që është në letër, të zbatohet në të vërtetë, të bëjmë barazinë e vërtetë të pagave midis grave dhe burrave për punën e njëjtë. Por kjo fillon nga arsimi dhe kjo do të thotë që mos t’i mohohet asnjë vajze shqiptare mundësia për tu arsimuar, për tu kualifikuar, për të shkuar në universitet për shkak të pamundësisë ekonomike të familjes apo për shkak të paragjykimeve”.
Basha i ftoi gratë e kryeqytetit që të mbështesin opozitën në 25 Prill.