Nis procedimi për kryetaren e Gjykatës së Elbasanit
https://youtu.be/IW_zXlx7_C4
Në një kohë që Elbasani është kthyer në arenë të përplasjes së bandave kriminale, që po kryejnë ekzekutime mafioze, Kryetarja e Gjykatës ka kohë për argëtime në rrjetin social TikTok. Disa video të bëra publike në internet tregojnë se si Enkeleda Kapedani përdor edhe zyrën e punës për video argëtuese në rrjetet sociale.
Publikimi i tyre ka vënë në lëvizje Institucionet e Drejtësisë në vend. Fillimisht Inspektorati i Lartë i Drejtësisë urdhëroi fillimin e një hetimi disiplinor ndaj Enkeleda Kapedanit. E më pas një reagim i ashpër erdhi nga Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj që kërkon edhe hetim të pasurisë së saj.
“Të pakomentueshme shfaqjet e gjyqtares së Elbasanit. Qysh prej dhjetorit 2019, i kam kërkuar me shkrim KLGJ-së verifikimin dhe marrje mase për të pas lirimit të një subjekti kriminal. Tani uroj që jo vetëm të merret masa e duhur, por edhe të hetohet në mënyrë të thelluar gjendja pasurore e kësaj gjyqtareje.”
Në videot e bëra publike Kapedani ecën brenda korridoreve të Gjykatës si në pasarelë dhe pozon provokuese në zyrë. Në një video tjetër ajo filmon veten duke dëgjuar në sfond një këngë ku dëgjohen fjalë si “Mafia” apo “Kolumbia”.
Po ashtu kryegjyqtarja reklamonte në TikTok veshjet e markave të shtrenjta, shoqëruar me komente pikërisht mbi markat, makinën e saj tip BMW dhe shfaqej duke drejtuar makinën me shpejtësi apo duke përdorur telefonin në timon, vepra të cilat janë të dënueshme edhe ligjërisht.
Inspektorati i Lartë i Drejtësisë po e heton për thyerje të Kodit të Etikës së Gjyqtarëve, kod i cili duhet të monitorohet pikërisht nga krerët e Gjykatave. Në një reagim për mediat vetë Kapedani thotë se ajo nuk ka një adresë në rrjetin social TikTok, por nuk shpjegon se kush i ka xhiruar videot e saj dhe si kanë përfunduar ato në internet.
Sipas gjyqtares, shpërndarja e videove është bërë qëllimisht për të përbaltur figurën e saj.
Tv Klan