Shfuqizohet ligji dhe VKM për ndërtimin nga privati
Gjykata Kushtetuese dha vendimin për çështjen e Teatrit Kombëtar. Gjykata ka shpallur si antikushtetues ligjin e posaçëm për ndërtimin e Teatrit Kombëtar të njohur si ligji Fusha, i miratuar nga parlamenti në vitin 2018, ligj i cili, pas dështimit të negociatave me kompaninë Fusha, që kishte marrë përsipër të ndërtonte godinën e re të Teatrit Kombëtar, dështoi në vetvete.
Ky fakt u evidentua edhe nga përfaqësuesit ligjorë të qeverisë dhe bashkisë gjatë shqyrtimit të kësaj çështjeje për të cilin Kushtetueses iu u drejtua me 2 kërkesa presidenti Meta. Por si fakt i pranimit të humbjes së fuqisë së këtij ligji ishte dhe vendimi i ekzekutivitit dhe Bashkisë së Tiranës për ta ndërtuar me buxhetin e tyre ndërtesën e re të Teatrit dhe jo me financimin e ndonjë kompanie privatë.
Por në vendimin e saj, Gjykata Kushtetuese vendosi të rrezojë kërkesën e presidentit dhe të lërë në fuqi vendimin e Këshillit Bashkiak të Tiranës për shembjen e godinës së vjetër të Teatrit Kombëtar duke i dhënë të drejtë bashkisë dhe duke arsyetuar se nuk u formua shumica prej 5 votash e parashikuar nga ligji.
Nga ana tjetër Kushtetuesja ka shfuqizuar VKM-në për “Për kalimin nga ministria e Kulturës në pronësi të Bashkisë Tiranë, të truallit ku ngrihej “Teatri Kombëtar si i papajtueshëm me Kushtetutën, VKM e cila po ashtu ishte në funksion të ligjit për ndërtimin e teatrit nga privati.
Si ligji i posaçëm që mban nr 37 2018 ashtu dhe VKM e qeverisë për kalimin e truallit pezullohen të zbatohen deri në hyrjen në fuqi të vendimit përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese. Por burime nga Bashkia e Tiranës thonë për Tv Klan se gjithsesi ky vendim nuk cenon projektin për ndërtimin e godinës së re të Tetarit që mori këtë javë dhe miratimin e Këshillit Kombëtar të Territorit.
Të njëjtat burime pohojnë se projekti do të realizohet në të njëjtin truall po nga Bashkia e Tiranës përmes një formë bashkëpunimi që pritet të përcaktohet, mes saj dhe qeverisë që rikthehet me këtë vendim të Kushtetueses si pronare e kësaj pasurie kadastrale.