Gjykata e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka rrëzuar kërkesën e SPAK ditën e sotme, duke vendosur që të mos rifillojë hetimet ndaj Fatmir Mediut për rolin e tij në ngjarjen e Gërdecit, proces i bllokuar që prej vitit 2009.
GJKKO ka theksuar se Prokuroria ka pasur 10 vite kohë që ta hetonte, pasi ai nuk ka pasur imunitet, ndërkohë që nuk ka depozituar prova të reja por vetëm kërkesën për hapjen e hetimeve.
“Gjykata çmon që të evidentojë se edhe pse Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë në të dy vendimet e tij ka theksuar se të drejtën për të kërkuar autorizimin për procedim sipas ligjit e ka vetëm prokurori,nga tërësia e akteve procedurale dhe e provave që ndodhen në dosjen gjyqësore konstatohet se që prej datës 14.09.2009 (data e shpalljes së vendimit të pushimit nga Gjykata e Lartë) e në vazhdim, organi i akuzës nuk i kërkoi përsëri Kuvendit të Republikës së Shqipërisë dhënien e autorizimit për fillimin e ndjekjes penale ndaj ish – deputetit Fatmir Mediu, mungesa e të cilit nuk lejonte vazhdimin e procedimit penal. Gjithashtu, Gjykata çmon që të evidentojë se edhe pse kuadri kushtetues dhe ligjor përcakton se deputeti nuk gëzon imunitet parlamentar për ndjekjen penale apo gjykimin e tij konstatohet se që prej vitit 2012 e në vazhdim (më shumë se 8 vjet), organi i akuzës nuk ndërmori hapat e nevojshëm sipas ligjit për ushtrimin e ndjekjes penale megjithëse tashmë nuk ishte më e nevojshme që të kërkohej të jepej autorizimi nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë. Pra, nga vitit 2012 deri më datë 1 Gusht 2017 kur hynë në fuqi ndryshimet e K.Pr.Penale me Ligjin Nr. 35/2017, prokuroria nuk ka pasur asnjë pengesë që të rimerte të pandehur shtetasin Fatmir Mediu pa kërkuar autorizim për ndjekje penale apo të kërkonte rishikim të vendimit”, thuhet në vendimin e GJKKO drejtuar nga gjyqtari Erion Çela në dhomë këshillimi, pa praninë e palëve.
“Neni 329/c i K.Pr.Penale parashikon mundësinë e revokimit të vendimit të pushimit të akuzës ose çështjes kur pas vendimit dalin ose zbulohen të dhëna apo prova të reja, të cilat tregojnë se vendimi nuk është i bazuar”, sipas vendimit.
“Ky është rasti kur vendimi është i pakthyeshëm, pra kur nuk ka mjete të tjera të disponueshme ose kur palët i kanë shfrytëzuar këto mjete ose kanë lejuar skadimin e afatit kohor pa i përdorur ato.”
Sipas GJKKO, revokimi i vendimit të pushimit do të kishte ndodhur nëse do të kishte prova të cilat më pas do të depozitoheshin në sekretarinë e gjykatës.
“Në nenin 329/c të K.Pr.Penale me titull “Revokimi i vendimit të pushimit” parashikohet se: “1. Kur pas vendimit të pushimit të akuzës ose çështjes dalin ose zbulohen të dhëna apo prova të reja, të cilat tregojnë se vendimi nuk është i bazuar, ai mund të revokohet nga gjyqtari i seancës paraprake me kërkesë të prokurorit, të viktimës ose trashëgimtarëve të saj. Kërkesa, së bashku me aktet dhe provat e reja, depozitohet në sekretarinë e gjykatës. 2. Kërkesa shoqërohet me provat e reja me pasojë mospranimi. 3.Kërkesa shqyrtohet në dhomë këshillimi. Kur vendos pranimin e kërkesës, gjykata revokon vendimin e pushimit dhe i kthen aktet prokurorit, i cili rifillon hetimet. 4.Në përfundim të hetimeve, kur nuk procedon sipas neneve 328, 329/a, 406/a ose 406/dh, të këtij Kodi, prokurori paraqet në gjykatë kërkesë për dërgimin e çështjes në gjyq”.
Neni 292 i K.Pr.Penale me titull “Rifillimi i hetimeve” parashikon se: “Vendimi i mosfillimit të procedimit ose i pushimit, të dhënë për shkak të mungesës së ankimit, nuk pengojnë kryerjen e hetimeve për të njëjtin fakt dhe ndaj të njëjtit person, në qoftë se më pas bëhet ankim”.
Neni 329/c i K.Pr.Penale me titull “Revokimi i vendimit të pushimit” parashikon se: “ Kur pas vendimit të pushimit të akuzës ose çështjes dalin ose zbulohen të dhëna apo prova të reja, të cilat tregojnë se vendimi nuk është i bazuar, ai mund të revokohet nga gjyqtari i seancës paraprake me kërkesë të prokurorit, të viktimës ose trashëgimtarëve të saj. Kërkesa, së bashku me aktet dhe provat e reja, depozitohet në sekretarinë e gjykatës.
2.Kërkesa shoqërohet me provat e reja me pasojë mospranimi.
3.Kërkesa shqyrtohet në dhomë këshillimi. Kur vendos pranimin e kërkesës, gjykata revokon vendimin e pushimit dhe i kthen aktet prokurorit, i cili rifillon hetimet.
4.Në përfundim të hetimeve, kur nuk procedon sipas neneve 328, 329/a, 406/a ose 406/dh, të këtij Kodi, prokurori paraqet në gjykatë kërkesë për dërgimin e çështjes në gjyq.”
“Neni 329/ç i K.Pr.Penalei cili parashikon se: “Kundër vendimit të mospranimit ose të rrëzimit të kërkesës për revokimin e vendimit të pushimit, prokurori, viktima ose trashëgimtarët e saj, kanë të drejtën e ankimit në gjykatën e apelit, e cila shqyrton ankimin në dhomë këshillimi”.
Si e dhënë e re për SPAK që të drejtonte kërkesën në GJKKO ishin ndryshimet kushtetuese mbi imunitetin parlamentar , që i japin të drejtë akuzës të ndjekë penalisht një deputet pa qenë e nevojshme kërkesa për autorizim. Megjithatë Kolegji i Gjykatës së Lartë i tërhoqi vëmendjen se nga 2009 kur u pushua gjykimi ndaj ish-ministrit, duke nisur prej 2017 akuza mund ta kishte rihapur çështjen.
Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim nga Prokuroria, në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, brenda 15 ditëve nga vendimi.
“Vlerësojmë se pas revokimit të vendimit të pushimit të çështjes penale, ndjekja penale dhe procesi penal duhet të vazhdojë në fazën procedurale ku ka mbetur, pra në fazën e gjykimit të çështjes. Shtetasi Fatmir Mediu gjatë fazës së hetimeve paraprake të çështjes penale të mësipërme është njohur me akuzën ndaj tij, është njohur me të gjitha aktet procedurale në ngarkim të tij dhe për këtë çështje penale është marrë vendimi për dërgimin në gjyq dhe është paraqitur kërkesa për gjykim. Faza e hetimeve paraprake është përfunduar në përputhje me kërkesat e ligjit procedural penal të zbatueshme në atë kohë dhe shkaku i pushimit të çështjes ka lindur në fazën e gjykimit. Pra, faza e hetimit paraprak është e tejkaluar në çështjen penale konkrete dhe procesi penal duhet që të vazhdojë në fazën e gjykimit të çështjes”, sipas SPAK.
Feruzan Durdaj dhe Zamira Durdaj, prindërit e 7 vjeçarit Erison Durdaj që humbi jetën tragjikisht nga shpërthimi i Gërdecit në pranverën e 2008 i kanë kërkuar gjykatës pranimin e kësaj kërkese.
Në muajin Shkurt 2021, Feruzan Durdaj dhe Zamira Durdaj, prindërit e 7 vjeçarit Erison Durdaj që humbi jetën tragjikisht nga shpërthimi i Gërdecit në pranverën e 2008, iu drejtuan organeve të drejtësisë së re për të rifilluar ndjekjen penale ndaj Fatmir Mediut, ish Ministër i Mbrojtjes.
Në mesdita e 18 marsit të vitit 2008 26 persona mbetën të vdekur, mes tyre edhe fëmijë, ndërsa dhjetëra mbetën të plagosur nga shpërthimi i municioneve në një fabrikë demontimi municionesh.