I dërguari i Kombeve të Bashkuara për krizën siriane, Staffan de Mistura, synon të nisë bisedimet për paqe në Siri më 25 janar, në Gjenevë, ka thënë një zëdhënës i tij.
“Ai llogarit në bashkëpunim të plotë të të gjitha palëve përkatëse siriane në këtë proces. Zhvillimet në terren nuk duhet të lejohen që ta prishin atë”, thuhet në deklaratën e publikuar të shtunën.
Deklarata vjen një ditë pasi kreu i njërit prej grupeve më të fuqishme rebele në Siri është vrarë në një sulm ajror në lindje të Damaskut.Zahran Alloush ka qenë themelues i Ushtrisë së Islamit. Vrasja e tij është një goditje e madhe për opozitën e armatosur dhe mund të forcojë pozicionin e presidentit sirian, Bashar al-Assad, përpara bisedimeve për paqe.Ka qenë e paraparë që Ushtria e Islamit të marrë pjesë në këtë proces. Sipas disa raporteve të pakonfirmuara, sulmi që ka vrarë Alloushin është kryer nga avionët rusë.
Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara ka miratuar më 18 dhjetor rezolutën për bisedime për paqe në Siri. Dy rrethe të mëhershme të bisedimeve në Gjenevë, midis përfaqësuesve të Qeverisë siriane dhe të rebelëve, kanë përfunduar pa sukses. Mbi 250 mijë njerëz kanë vdekur në konfliktin në Siri që ka nisur në vitin 2011; miliona të tjerë janë zhvendosur. /REL/