Në Hagë sot do të mbahet konferenca për ecurinë e çështjes kundër ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarit dhe ish-kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Kadri Veselit, ish-zëdhënësit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Jakup Krasniqit si dhe ish-shefit të Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Rexhep Selimit.
Nga Dhomat e Specializuara kanë njoftuar se seanca e radhës për konferencën ndaj Thaçit dhe të tjerëve mbahet sot në ora 14:30.
“Siç është njoftuar në kalendarin tonë të Gjykatës, Konferenca e shtatë për ecurinë e çështjes në çështjen kundër Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit do të mbahet të martën, më 14 shtator në orën 14:30”, njofton Specialja.
Ndërkohë që ditë më parë ka përfunduar konferenca përgatitore e ZPS-së në çështjen e ish-kryetarit të Organizatës së Veteraneve të Luftës, Hysni Gucati dhe ndaj nënkryetarit të OVL-UÇK, Nasim Haradinaj. Gjatë konferencës trupi gjykues nxori një numër vendimesh gojore që urdhërojnë mes tjerash se gjykimi në këtë çështje do të fillojë me 7 tetor me deklaratën hyrës të ZPS-së.
“Paraqitja e provave të ZPS -së do të fillojë më 18 tetor dhe ZPS-ja do të thërrasë 3 dëshmitarë dhe do të ketë 4 ditë seanca dëgjimore për çështjen e saj. Datat e synuara për mbylljen e çështjes së ZPS-së dhe gjykimit në tërësi janë caktuar përkatësisht më 9 nëntor dhe 17 dhjetor 2021”, bëhet e ditur në faqen e Dhomave të Specializuara.